Një intervistë e realizuar me akademikun serb Dushan Teodoroviq në emisionin “Wake Up” në kanalin NOVA S më 12 tetor të këtij viti, ka ngjallur shumë debate në opinionin publik në Serbi, shkruan Fol Drejt.
Në këtë intervistë Teodoroviq thërret për një vetëdijesim të klasës politike serbe, ndërsa vë theksin te “realiteti i ri i krijuar në raport me Kosovën”. Sipas tij klasa politike por edhe populli serb, duhet ta kuptojë se “Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj!”
Ai e thotë troç: “Kosova është shtet!” – por që sipas tij, kjo nuk i është thënë dhe shpjeguar popullit serb.
“Qytetarët duhet të kuptojnë se Kosova ka hapëruar në rrugën e saj dhe se kjo nuk është diçka e pahijshme, e cila nuk duhet pranuar menjëherë apriori. Duhet të organizohet një konferencë për Kosovën, të pranohet realiteti dhe gjëja e parë që duhet të definohet është momenti i hyrjes së Kosovës në OKB, i cili duhet të jetë në të njëjtën ditë me hyrjen e Serbisë në BE”- tha Teodoroviq duke shtuar se këtë duhet t’ua thonë edhe qytetarëve serbë në Kosovë.
Sipas tij këtu nuk bëhet fjalë për “heqje dorë” nda diçka, realiteti i ri i krijuar, sipas tij, e imponon këtë qëndrim:
“Askush nuk heq dorë nga askush këtu! Duhet ta kuptojmë ne në Serbi, sepse i duam ato histori, që lidhen me vitin 1389. Çfarëdo që ka ndodhur deri në vitin 1912, Kosova ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe pastaj ushtria serbe e malazeze e pushtuan në luftë. E humbëm në luftë. Për shkak të krenarisë sonë kombëtare është e vështirë për mua, i pari ta them këtë, por këto janë faktet. Mbreti Aleksandar, Josip Broz Tito, Sllobodan Millosheviqi, Koshtunica, Xhinxhiqi deri tek Aleksandar Vuçiq nuk u përpoqën ta zgjidhin problemin e Kosovës dhe ky problem ka qenë i pazgjidhshëm për mbi 80 vjet për një fakt të thjeshtë: shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë me ne!”
Ai ia kujtuar opinionit serb se në Kosovë ndodhet një bazë e madhe amerikane në Bondsteel.
“Imagjinoni tani t’i mbajmë me forcë? Me luftë, ne e provuam luftën, por baza më e madhe e NATO-s, Bondsteel, është atje, a duam të luftojmë me NATO-n?”
Ai madje iu ka referuar disa fakteve historike të vona, duke e përmendur ndër të tjera edhe “Marrëveshjen e Kumanovës!”, që dëshmojnë sipas tij, që Kosovës i është hapur dera për t’u shkëputur tërësisht nga Serbia./FolDrejt/
P.s për ata që e kuptojnë serbokroatishten: