Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen beson se rikthimi i Lionel Messit në Camp Nou do të ishte një përfitim i madh për klubin, edhe nëse futbollisti argjentinas rikthehet në një rol tjetër.
Messi u largua nga Barcelona në vitin 2021 kur katalanasit nuk kishin mundësi të nënshkruanin një kontratë të re me argjentinasin. Më pas ai u bashkua me Parisin e Francës, dhe së fundmi u bë anëtar i Inter Miamit.
Ter Stegen zbuloi se disa nga lojtarët e ekipit të parë të Barcelonës kanë një marrëdhënie të ngushtë me Messin dhe se rikthimi i tij do të ishte një gjë shumë e mirë për klubin.
“Leo sigurisht që do të ishte një përforcim i vlefshëm. Ndoshta në të ardhmen do të rikthehet në një rol tjetër. Barcelona është klubi i tij dhe do të jetë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës së Messit. Një numër i madh prej nesh janë ende në kontakt me të, ai është i afërt me disa lojtarë të cilët tashmë i janë bashkuar edhe Miamit”, tha portieri gjerman.
Messit siç duket po i pëlqen të luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interi u përforcua nga Jordi Alba dhe Sergio Busquets dhe në 11 ndeshjet e para në klubin e ri, argjentinasi shënoi 11 gola dhe regjistroi tetë asistime.
Leo luajti 778 ndeshje në Barcelonë , shënoi 672 gola dhe regjistroi 303 asistime. Me atë klub ai fitoi katër herë Champions League, 10 herë ishte kampion i Spanjës dhe tri herë fitoi Kupën e Botës për Klube FIFA dhe Superkupën e UEFA-s. Me Messin, Barcelona fitoi Kupën e Mbretit të Spanjës shtatë herë, dhe argjentinasi fitoi çmime të shumta individuale, duke përfshirë shtatë Topa të Artë, transmeton Fol Drejt.