Këshillimi mund të lehtësojë ndjeshëm depresionin gjatë shtatzënisë dhe potencialisht të çojë në rezultate më të mira për nënën dhe foshnjën në afat të gjatë, thonë studiuesit.
Në një provë që përfshinte 234 gra shtatzëna që raportuan simptoma të buta të depresionit në tremujorin e parë ose të dytë, një formë këshillimi e njohur si terapi ndërpersonale (IPT) pati përfitime të qarta, sipas një raporti në JAMA Psychiatry, përcjell Fol Drejt.
Terapia ndërpersonale (IPT) është një psikoterapi afatshkurtër, e synuar, qëllimi i së cilës është të ndihmojë njerëzit të identifikojnë dhe zgjidhin problemet ndërpersonale. Ajo u krijua në vitet 1940 si një formë trajtimi për depresionin klinik.
Krahasuar me pacientët që shkuan për të vizituar një psikiatër, ata që kishin seanca 50-minutëshe të terapisë ndërpersonale kishin përmirësime më të rëndësishme në simptoma, thanë studiuesit.
Këtë e ka konfirmuar drejtuesja e studimit, Dr. Elysia Poggi Davis nga Universiteti i Denverit. Përmirësimi zbatohej për të gjithë pacientët, pavarësisht nga statusi socio-ekonomik apo në cilin muaj të shtatzënisë ishin, zbuloi ekipi i saj, raporton Reuters.
Në fillim të studimit, 37 për qind e pacientëve në të dy grupet plotësonin kriteret për çrregullimin madhor depresiv. Në fund, kjo ishte ende e vërtetë për 26 përqind të atyre që shkuan për një konsultë psikiatrike një herë, por vetëm për gjashtë përqind të pacientëve që shkuan për IPT.
Dr. Davis shtoi se “individët raportuan se ndiheshin më mirë, me më pak simptoma depresive, edhe në fillimin e IPT”./FolDrejt/