Tërmeti me magnitudë 7.8 dhe pasgoditjet e shumta që tronditën Turqinë jugore që nga 6 shkurti shkaktuan më shumë se 34 miliardë dollarë dëme, vlerësoi sot Banka Botërore, raporton Danas, përcjell Fol Drejt.
Ky institucion deklaroi se vlerësimi nuk merr parasysh kostot e rindërtimit, të cilat ndoshta janë dy herë më të larta. Gjithashtu nuk merren parasysh dëmet e shkaktuara në pjesën veriore të Sirisë, e cila është goditur nga tërmetet.
“Kjo fatkeqësi na kujton se Turqia është në një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe se është e nevojshme të forcohet qëndrueshmëria e infrastrukturës private dhe publike. Banka Botërore është e përkushtuar të mbështesë përpjekjet e Turqisë në këtë drejtim,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se vlerësimet për pasgoditjet e fundit janë ende në vazhdim.
Rreth 10,000 pasgoditje kanë ndodhur që nga 6 shkurti në Turqi, sipas agjencisë publike të menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë.
Më shumë se 48,000 njerëz vdiqën në Turqi dhe Siri. /FolDrejt/