Kryesia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të Ministrisë së Brendshme turke njoftoi se 46 persona janë plagosur si pasojë e tërmetit me magnitudë 5.9 ballë që goditi zonën Gölyaka në qytetin Duzce.
Në një deklaratë nga AFAD thuhet se në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e AFAD-it dhe Gjysmëhënës së Kuqe nga Duzce, Ankaraja, Istanbuli, Bursa, Bolu, Sakarya, Zonguldaku, Kocaeli dhe se ekipet e Grupit për Përcaktimin e Dëmit të Fatkeqësisë kanë filluar punimet për përcaktimin e dëmit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Nga AFAD Sakarya janë dërguar një kamion koordinimi i lëvizshëm dhe 2 qen kërkimi ndërsa nga Ministria e Urbanizimit Mjedisor dhe Ndryshimit të Klimës janë dërguar në rajon një automjet laborator i lëvizshëm dhe 6 mjeteve monitorimi.
Në deklaratë thuhet se pas tërmetit janë regjistruar 96 pasgoditje prej të cilave më e madhja me magnitudë 4.3 ballë.
“Në informacionin e marrë nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se janë plagosur 46 persona prej të cilëve 37 në Düzce, 1 në Istanbul, 6 në Zonguldak, 1 në Sakarya dhe 1 person në Bolu. Në disa zona në qytetin Düzce ka ndërprerje të energjisë elektrike me qëllim kontrollin. Në rajon janë dërguar 10 baza stacioni (antena të operatorëve) të lëvizshme. Nga depoja logjistike e AFAD-it janë dërguar 10 mijë batanije, 20 tenda (çadra) për përdorim të përgjithshëm me një hapësirë 112 metër katrorë si dhe 480 tenda (çadra) 16 metër katrorë për jetesë familjare”, thuhet në deklaratë./FolDrejt/