Anëtarja e LDK’së, Melihate Tërmkolli ka deklaruar sot se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke e sulmuar pa ndalur Amerikën, e se tashmë të vetmet kontakte i ka me Serbinë, raporton Express.
Ajo thotë se sipas logjikës së Kurtit, SHBA po del që ka bërë ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë (Serbia e Mali i Zi), me Kosovën e okupuar, atëherë kur SHBA me NATO-n më1999 bombardoi Serbinë dhe solli çlirimin dhe lirinë e Kosovës nga Serbia.
“Tani, sipas logjikës së Kurtit, kur SHBA po përpiqet të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë që do të sillte njohjen e Kosovës shtet i pavarur nga ana e Serbisë, edhe kjo qenka ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Pra sipas tij, Kosova qenka e rrezikuar nga SHBA, nga Shtëpia e Bardhë!
Kështu mendon, kështu flet, kjo është logjika e Albin “patriotit”!
Njësoj si Serbia e Vuçiqi, që për 20 vjet e deklaronin të njëjtën gjë për Amerikën! Edhe më keq, sepse SHBA ishte promotori i lirisë e pavarësisë tonë e jo i Serbisë.
Madje me një dallim, tani. Derisa Serbia sot po bashkëpunon me SHBA-të, Albini jo veç ka shkëputë çdo kontakt zyrtar me Amerikën por edhe e sulmon pa ndalë. Të vetmet kontakte zyrtare të Albinit, Kryeministër në detyrë, janë ato me Serbinë dhe me të gjithë ata që nuk e kanë njohur Kosovën shtet i pavarur”, ka shkruar ajo.
Tërmkolli thotë se me këtë logjikë është duke u rrezikuar siguria nacionale e Kosovës.
“Ky është turp kombëtar dhe pak më tepër. Ky nuk është fati i Kosovës dhe shqiptarëve, është një fatkeqësi. Një incident i madh në historinë tonë politike kombëtare. Që duhet përmirësuar një orë e më parë”, deklaroi ajo.