Ekstremisti i krahut të djathtë, i cili qëndron prapa sulmit terrorist në Halle në vitin 2019, mori peng dy roje burgu në Gjermani, por më vonë ai u mposht nga roje të tjera, njoftuan sot autoritetet.
Incidenti ndodhi të hënën në mbrëmje në burgun në qytezën Burg në shtetin lindor të Saksonisë-Anhalt, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas ministrisë së Drejtësisë, ekstremisti i djathtë Stephan Balliet mori pengje dy pjesëtarë të stafit të burgut, por pas një kohe të shkurtër u mposht nga gardianët e tjerë të burgut.
Balliet mbeti i plagosur gjatë lirimit të pengjeve. Dy anëtarët e stafit të liruar thuhet se nuk u lënduan, por kanë pësuar trauma.
Mbetet e paqartë se si ka ardhur deri te pengmarrja.
Policia vendosi policë të armatosur para burgut pasi u bë e ditur pengmarrja ndërsa Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal të Saksoni-Anhalt ka nisur hetimet.
Balliet fillimisht ishte përpjekur të hynte i armatosur në sinagogën e qytetit në Halle më 9 tetor 2019 duke kërcënuar se do t’i vriste njerëzit që ishin mbledhur aty.
Pasi kishte dështuar, ai qëlloi një kalimtar përpara ndërtesës dhe pak më pas një mysafir në një lokal.
Gjatë gjyqit, doli se ai fillimisht kishte dashur të sulmonte një xhami ose një qendër të grupit antifashist Antifa, sepse besonte se ato ishin më pak të ruajtura. Por, sipas tij, ai kishte dashur të vriste hebrenjtë si prioritet, sepse ata ishin pas imigrimit të muslimanëve në Evropë.
Balliet u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm me akuzat e mëvonshme për dy vrasje dhe 68 tentativa vrasje./FolDrejt/