The New York TimesEksodi masiv i refugjatëve nga Ukraina ka krijuar krizën më të madhe humanitare në Europë që nga
Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se katër milionë njerëz janë larguar në vendet fqinje dhe për sa kohë që vazhdon lufta, do të largohen edhe miliona të tjerë. Tashmë, fluksi i refugjatëve nga Ukraina është shumë më i madh se fluksi i refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku në vitin 2015, duke përmbysur kështu politikën europiane.
Reagimi fillestar i Europës ndaj krizës së refugjatëve ukrainas ka qenë mbresëlënës, duke pasur parasysh se sa papritur shpërtheu kriza. Refugjatët, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, sepse shumicës së burrave u është kërkuar të qëndrojnë në Ukrainë për të luftuar, janë mirëpritur dhe strehuar në vendet fqinje edhe pse numri i tyre vazhdon të rritet.
Por shkalla e kësaj krize është tronditëse, dhe është ende në fazat e saj të hershme. Kjo krizë do të kërkojë më shumë koordinim, fonde dhe vendosmëri si brenda Europës ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Qendrat ekzistuese të refugjatëve duhet të marrin më shumë ndihma dhe duhen gjetur mënyra për të inkurajuar refugjatët që të zhvendosen në vendet që kanë më shumë kapacitet për t’i pritur ata, raporton abcnews.al.
Gjithashtu nevojiten përgatije për ti ndihmuar ukrainasit të rikthehen në shtëpi, nëse do të arrihet një paqe midis dy vendeve. Por mikëpritja e emigrantëve ukrainas është krahasuar me trajtimin e refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera.
Rreth 16,000 njerëz janë në kampet e refugjatëve në Greqi, dhe shumë prej tyre janë të uritur sepse u mungojnë të njëjtat të drejta që po u garantohen sot ukrainasve.
Por përgjigja ndaj një standardi të dyfishtë nuk mund të jetë mbyllja e dyerve për ukrainasit.
Për ta vënë atë në perspektivë, rreth një milion sirianë, afganë dhe irakenë kaluan Detin Mesdhe për tu strehuar në Europë në vitin 2015. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, rreth një milion njerëz po largohen nga Ukraina çdo javë.
Me përjashtim të një marrëveshjeje paqeje, Rusia do të vazhdojë të bombardojë infrastrukturën civile. Ukraina do të vazhdojë të luftojë për të mbijetuar. Dhjetë milionë njerëz – afërsisht një e katërta e popullsisë së Ukrainës mund të largohen nga vendi gjatë muajve të ardhshëm.
Qytetet në Poloni, Moldavi dhe Rumani janë transformuar, duke ushtruar presion mbi shkollat, banesat, spitalet dhe programet e ndihmës qeveritare. Varshava, një qytet me rreth 1.6 milionë banorë, po strehon më shumë se 300,000 refugjatë ukrainas.
Strehimoret e mbipopulluara për gra dhe fëmijë janë objektiva të trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit kriminal.
Refugjatët nuk janë një e metë e projektimit të luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë. Bombardimet dhe granatimet pa dallim të infrastrukturës civile janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të demoralizuar popullatën civile dhe për të zhvendosur banorët në vendet fqinje, ku prania e tyre mund të jetë destabilizuese.
Kjo u bë e qartë gjatë episodit të vitit të kaluar në kufirin Bjellorusi-Poloni, pasi Aleksandr Lukashenko, udhëheqësi autokratik i Bjellorusisë, me sa duket prodhoi një krizë duke shtyrë emigrantët të zhvendoseshin në Poloni, raporton abcnews.al.
Me kalimin e kohës, pakënaqësia e refugjatëve ukrainas mund të rritet. Njerëzit që filluan t’i mirëpresin refugjatët mund të kthehen kundër tyre, duke ushtruar presion mbi qeveritë e tyre për të detyruar Ukrainën t’i japë fund luftës sipas kushteve të Rusisë.
Këshilli i Bashkimit Europian tashmë ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke miratuar një direktivë që u jep status të përkohshëm shtetasve ukrainas deri në një vit. Shumica e ukrainasve tashmë kishin të drejtë të udhëtonin pa viza në vendet e Bashkimit Europian për 90 ditë. Masa e re u jep atyre të drejtën për të jetuar, punuar dhe vazhduar shkollën në vendet e BE-së pa pasur nevojë të plotësojnë proçedurat për azil.
Por nevojitet më shumë për të ndihmuar vendet ku janë strehuar tashmë refugjatët. Programi britanik ” Shtëpi për ukrainasit” , i cili paguan familjet dhe organizatat për të strehuar refugjatët, ka lëshuar 2700 viza deri më tani, ndërsa 2000 ukrainas mund të studiojnë në universitetet e Finlandës.
Këto përpjekje janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme duke pasur parasysh se janë prekur miliona njerëz. Bashkimi Europian ka krijuar një platformë për të përshtatur ofertat e ndihmës me ato në nevojë.
Shtatë vende, duke përfshirë Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën, janë zotuar të strehojnë 15,000 ukrainas në Moldavi. Por kjo është një pjesë e vogël e rreth 98,000 ukrainasve në Moldavi, shumë prej të cilëve ngurrojnë të largohen sepse gjuha që ata dinë, rusishtja, flitet atje.
Bashkimi Europian ka miratuar gjithashtu rreth 17 miliardë euro fonde për rimëkëmbjen e pandemisë dhe programe për të promovuar kohezionin social dhe ekonomik që mund të shpenzohen menjëherë për nevoja urgjente, duke përfshirë strehimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe kujdesin ndaj fëmijëve.
Një propozim i BE-së për të adresuar krizën aktuale do të shpërndante më shumë nga ato fonde në vendet që po strehojnë një numër të madh refugjatësh. Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia do të merrnin 45 për qind më shumë fonde sesa do të kishin marrë. Austria, Bullgaria, Republika Çeke dhe Estonia – shtetet anëtare që kanë numrin më të madh të ukrainasve në proporcion me popullsinë e tyre kombëtare do të përfitonin gjithashtu nga kjo paketë.
Përpjekjet për të strehuar njerëzit që i janë larguar luftës nuk duhet të kufizohen vetëm në Europë. Kanadaja, e cila është shtëpia e një popullsie të madhe ukrainase, ka rënë dakord të mirëpresë një numër të pakufizuar njerëzish për të qëndruar për të paktën dy vite.
Edhe Japonia, e cila prej kohësh heziton të pranojë refugjatë, ka pranuar të strehojë ukrainasit. Njoftimi i Presidentit Biden se Shtetet e Bashkuara do të pranonin deri në 100,000 është një fillim i mbarë, por vendi mund të bëjë më shumë, veçanërisht kur mbështetja publike për pritjen e refugjatëve ukrainas është shumë e madhe.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë një lojtar kyç në Ukrainë gjatë viteve të fundit, nga inkurajimi i ukrainasve për t’iu kundërvënë Rusisë deri te bindja e ukrainasve që të bien dakord për heqjen e armëve bërthamore nga territori i tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik, një vendim që shumë ukrainas ndjejnë keqardhje sot.
Ndërsa bota hyn në periudhën më të madhe të paqëndrueshmërisë, udhëheqësit e saj nuk mund të injorojnë më nevojën për një përgjigje të koordinuar dhe njerëzore ndaj të gjithë atyre që po i largohen agresionit rus.