Aktualisht në kufirin me Ukrainën, ndodhen të pozicionuar rreth 150.000 ushtarë rusë, dhe në këtë shifër përfshihet edhe trupat separatiste të rajonin lindor ukrainas, Donbas. Moska ka zhvendosur në kufi regjimente të tëra me automjete të blinduara, si dhe të gjithën logjistikën që u nevojitet, dhe duket se po përgatitet për një operacion të madh ushtarak.
Por a do të ndodhë vërtet kështu? Ka disa arsye se përse Kremlini mund të vendosë të ndërmarrë një ndërhyrje të re të armatosur kundër fqinjit të saj. Le të përpiqemi që t’i analizojmë ato me radhë.
Rusia e percepton si të dobët SHBA-në
Që nga tërheqja e nxituar dhe kaotike nga Afganistani, perceptimi i fuqisë së SHBA-së është zbehur ndjeshëm. Në mënyrë të veçantë, vetë presidenca e Joe Biden shihet si e dobët, dhe bashkë me të edhe vullneti për t’u përfshirë realisht në një përballje ushtarake ndaj Rusisë për të mbrojtur Ukrainën.
Bisedimet telefonike dhe negociatat e dështuara diplomatike, i kanë treguar Kremlinit se Perëndimi nuk do të mobilizohet me armë për ta mbrojtur Kievin, duke kërcënuar vetëm me vendosjen e sanksioneve ekonomike, që gjithsesi kanë ndikimin e tyre të madh.
Po ashtu, në Moskë e dinë se fronti kryesor për Shtetet e Bashkuara – ndonëse është më pak i rëndësishëm për politikën e demokratëve sesa për vendin në tërësi – është ai kinez. Prandaj aksi Rusi-Kinë garanton në njëfarë forme një siguri ekonomike, e cila ka mundësi, në mos të neutralizojë, të paktën të lehtësojë barrën e sanksioneve.
Pas ngritjes së nivelit të kërcënimeve, Moska nuk ka gjasa të ndryshojë qasje
Është e vështirë që në kushtet aktuale, udhëheqja ruse vështirë të tërhiqet pa kosto të jashtme dhe të brendshme, për sa i përket besueshmërisë së saj. Gjatë muajit të kaluar, Perëndimi e ka armatosur Ukrainën në pritje të një sulmi rus, i cili vështirë se do të ishte një sukses politik për Moskën.
Por nëse Kremlini do të tërhiqet tani pa përfituar asgjë, atëherë perceptimi i brendshëm dhe ai ndërkombëtar do të jetë ai i një bllofi, ose akoma më keq, do të mendohet se Moska është dekurajuar dhe frikësuar nga SHBA-ja dhe NATO.
Ndërkohë, presidenti Vladimir Putin mund të pësojë një dëmtim të mëtejshëm të reputacionit të tij, pasi të shohë Kievin që kalon në orbitën perëndimore, ndërsa ai vetë do të vazhdojë të sillet me agresivitet, por pa qenë aspak efektiv. Për më tepër, fuqia negociuese e elitave ruse, mund të bjerë ndjeshëm deri në pikën e komprometimit.
Strategjia ruse në Ukrainë ka dështuar
Moska e percepton strategjinë e saj në Ukrainë si përgjithësisht të dështuar, pasi bisedimet diplomatike mbi Marrëveshjen e armëpushimit të Minskut janë duke ngecur, në një kohë që Ukraina po trajtohet gjithnjë e më shumë si një anëtare de facto e NATO-s.
Prandaj Moska përballet me zgjedhjen midis pranimit të faktit që Ukraina po rrëshqet tashmë në krahët e aleancës perëndimore, apo një përshkallëzimi të tensioneve. Ajo beson se duhet të veprojë me shpejtësi për të parandaluar një riorientim përfundimtar të vendit fqinj, dhe shkatërrimin e shtyllave themelore të ndikimit të saj mbi Kievin.
Prandaj, pushtimi i pjesës më të madhe të Ukrainës, mund të jetë e vetmja mënyrë, përmes së cilës Rusia mund të imponojë vullnetin e saj ndaj Ukrainës, në kushtet kur nuk ka mundësi të instalojë një qeveri pro-ruse.
Ukraina është “porta” e Rusisë drejt Perëndimit
Bashkë me Bjellorusinë, Ukraina është “porta” perëndimore e Rusisë. Fushat bjelloruse dhe ukrainase në veri të maleve Karpate, nuk ofrojnë pengesa të mëdha gjeografike për depërtimin në zemrën e kulturës, industrisë, ekonomisë dhe demografisë ruse:Ultësirat Sarmatike, që ndodhen në perëndim të maleve Urale.
Ukraina, historikisht “hambari i Rusisë”, ka zona të rëndësishme minerare dhe industriale, të cilat Moska është përpjekur që t’i rikthejë nën kontrollin e saj nëpërmjet operacionit ushtarak hibrid në Donbas, që në fakt ishte i pasuksesshëm.
Dhe përballë mundësisë së humbjes së përhershme të kontrollit mbi zonën rreth saj (siç ndodhi me kryengritjet kundër Lukashenkos në Bjellorusi),Rusia mund të vendosë ta pushtojë Ukrainën për të rimarrë kontrollin dhe përfituar nga avantazhet ekonomik që sigurojnë industritë strategjike (si për shembull kompanitë Antonov apo Zorya Mashproekt që prodhojnë turbinat e anijeve), si dhe burimet minerale.
Opsionet e tjera të kontrollit të SHBA-së nuk janë të zbatueshme
Moska ka deklaruar se nëse Uashingtoni nuk i shqyrton kërkesat e tij të sigurisë për Evropën Lindore, të cilat kërkojnë në thelb “çmilitarizimin” e një zone tampon në kufijtë rusë dhe rikthimin në statuskuonë e para vitit 1997, pra përpara zgjerimit në lindje të NATO-s, ajo mund të vendosë të vendosë sisteme raketore shumë pranë SHBA-së (pra në Kubë dhe Venezuelë ).
Kjo mundësi është në fakt vetëm një propagandë, pasi nuk është e praktikueshme nga Kremlini. Para së gjithash sepse ato janë fronte dytësore për Rusinë, vend që së pari duhet
të rifitojë ndikimin e saj në zonat fqinje, pra në Kaukaz, Azinë Qendrore, ku jemi dëshmitarë të një depërtimi të rrezikshëm të Kinës, si dhe në Evropën Lindore.
Së dyti sepse vendosja e sistemeve raketore në një vend, kërkon burime financiare në mënyrë të përhershme, të cilat në këtë moment historik Moska nuk i ka, pasi po përballet me sanksionet e Perëndimit dhe një paqëndrueshmëri ekstreme të tregut të hidrokarbureve, nga i cili varet shumë ekonomia ruse. Prandaj Moska është e detyruar t’i përqendrojë burimet e saj në Ukrainë, dhe pushtimi mbetet një mundësi konkrete.
Lufta Hibride sipas modelit të Krimesë, nuk është më e mundur
Një operacion i “Hybrid Ëarfare” si ai që u zhvillua në Krime (dhe Donbas) në vitin 2014 nuk është më i zbatueshëm. Megjithëse ka ende territore ukrainase rusisht-folëse apo pjesërisht rusisht-folëse, sot Kievi është më i strukturuar, dhe më rezistent ndaj këtij lloji operacionesh.
Kjo sepse e ka forcuar ushtrinë e tij, e cila është tashmë më e përhapur në territor, dhe sepse ka marrë një seri masash – gjithashtu jo demokratike – për të kufizuar ndikimin keqdashës të propagandës dhe dezinformimit rus. Për më tepër, pavarësisht çështjeve gjuhësore, edhe popullata rusisht-folëse e Ukrainës nuk është pro një ndërhyrjeje ruse. Përkundrazi, Moska perceptohet prej saj si një kërcënim.
Pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve, faktori surprizë është ende aty
Ndërsa dislokimi i njësive ruse në kufi, mund të duket tepër i dukshëm, pa ndonjë befasi të minutës së fundit, e kundërta është e vërtetë. Në fakt, Rusia i ka grupuar këto trupa në kufi për të fshehur qëllimet e saj të vërteta operacionale. Deri diku, Moska po arrin që ta ruajë faktorin surprizë dhe iniciativën në terren.
Ushtria ruse po vendos ngadalë dhe qëllimisht afër Ukrainës një forcë të madhe, me pajisje
që mund të lihen në terren për muaj të tërë. Trupat mund të dërgohen me shpejtësi në këto fushime, të përdorin pajisjet e tyre, dhe të fillojnë të shpërndahen. Kjo qasje fsheh raportin përfundimtar të forcave, kohën dhe shtrirjen e një operacioni.
Me një numër të madh forcash ruse që mbërrijnë në Bjellorusi, dhe me shumë të tjera që po mbërrijnë afër kufirit, një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në javët e ardhshme duket gjithashtu i mundshëm, nën mbulesën e stërvitjes ushtarake “Allied Resolve 2022”.
Moska mund të ketë vendosur tashmë
Nëse kërkesat për sigurinë konsiderohen themelore dhe absolutisht të domosdoshme nga Kremlini, pse nuk u bënë ato gjatë përshkallëzimit të situatës në prillin e vitit të kaluar? Pse kërkesat reja “synuan kaq lart”?
Siç e kemi theksuar tashmë, Rusia mund të priste ardhjen e stinës së dimrit për të përfituar nga ngricat, të cilat shmangin ngecien ushtrisë në baltë, dhe të vazhdonte me pushtimin tokësor të Ukrainës, i justifikuar nga refuzimi i mundshëm i SHBA-së për të pranuar propozimet ruse.