Në një intervistë ekskluzive të Presidentit të Republikës së Kosovës, dhënë portalit më të lexuar në Zvicër “20 Minuten”, ai ka falënderuar ushtrinë e Zvicrës, e cilë është angazhuar për ruajtjen dhe krijimin e paqes në kuadër të KFOR-it në Kosovë:
“Këto ushtare dhe ushtarë të Zvicrës na shpërbëjnë neve si model dhe shembull për ushtrinë, që jemi duke e krijuar. Trupat ndërkombëtare të KFOR-it duhet të qëndrojnë në Kosovë për aq kohë sa është e nevojshme për ruajtjen e paqes.”
Vizioni i Kosovës është që sa më parë të bëhet anëtarë e NATO-s dhe BE-së, ka thënë Presidenti Thaçi tutje në intervistën për “20 minuta”.
Ai ka nënvizuar se do të mbetet në shërbim të popullit për jetë: “Kam filluar me luftën për liri, pastaj kam punuar për pavarësi dhe tani angazhohem për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE”
I pyetur për akuzat e ngritura nga Dik Marti, Presidenti Thaçi ka theksuar se nuk merret më me të:
“Jam i fokusuar në arritjen e synimit për anëtarësim në BE dhe NATO dhe në jetësimin e reformave në Kosovë. As një insinuatë dhe thashetheme nuk mund të më shpërqendrojë nga qëllimi që kemi përpara. Janë thashetheme që qarkullojnë që 30 vite të nxitura dhe të fabrikuara nga Serbia dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Gjithmonë do të ketë idiotë në këtë botë”.
Ndërkaq, i pyetur për raportet dhe dialogun me Serbinë, Presidenti Thaçi ka theksuar me sa vijon:
“Serbia më sheh si armikun më të madh në Kosovë, por është i vërtetë fakti se unë po përpiqem të arrijmë një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo është arsyeja që po takohem nga kundërshtarët e mi. I kuptoj zërat radikalë dhe ekstremë, por në as një rrethanë, nuk do të lejoj që të kthehemi tek tragjeditë e së kaluarës. Po punojmë për paqe, stabilitet dhe mirëqenie, për një marrëveshje e cila Kosovës dhe rajonit do ti sjellë paqe afatgjate.”
Presidenti Thaçi i ka përshkruar si ekselete marrëdhëniet e Kosovës me Zvicrën.
“Diaspora më e madhe e jona, jeton këtu. Prandaj, natyrisht se dëshirojmë të thellojmë dhe përmirësojmë vazhdimisht marrëdhëniet me Zvicrën. Unë e falënderoj shumë Zvicrën për arsye se na ka pritur krahëhapur”
Presidenti Thaçi, tutje ka theksuar se Kosova synon të bëhet Zvicra e Ballkanit, ndërsa ka shtuar se shqiptarët kudo jetojnë, janë të njëjtë, ndërsa ka lavdëruar integrimin e shqiptarëve në shoqërinë zvicerane.
“Kombëtarja e Zvicrës i ka dy milionë fansa në Kosovë. Është e bukur kur kosovarët nga Zvicra vijnë në pushimet e verës në Kosovë, sepse ata përveç përvojës, sjellin para dhe investime në Kosovë”, ka thënë mes tjerash presidenti Thaçi.
“Është shumë e rëndësishme që këta njerëz kudo qofshin, janë të suksesshëm. Ne duam që të krijojmë kushte për ata, të cilët duan të kthehen në Kosovë, nëse duan. Por, ne gëzohemi shumë edhe për ata që kanë arritur suksese në Zvicër dhe duan të mbesin këtu.”
I pyetur për mashtrimet me bileta në kohën e sezonës se verës për bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë, Presidenti Thaçi është përgjigjur:
“Për sa u përket çmimit të biletave, kjo është çështje e tregut të lirë. Oferta dhe kërkesa e përcaktojnë çmimin. Por, ata që mashtrojnë qytetarët me bileta, ata duhet të dënohen sipas ligjit. Mashtrimin do ta luftoj pa kompromis”, ka theksuar presidenti Hashim Thaçi.
Ai është pyetur nga “20 Minuten” edhe nëse e pengon që Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët nga Kosova luajnë për kombëtaren e Zvicrës?
“ Do të kisha dashur shumë që ata t’i shohim tek luajnë tek ne, por ne jemi të lumtur kur i shohim tek luajnë për Zvicrën”.
Ndërkaq, ai ka folur edhe për temën e ambientit dhe gjelbërimit si dhe praninë e yllit 16 vjeçar, aktivistes së ambientit Greta Thunberg në Davos:
“Greta është pjesë e Davos-it. Të angazhohesh për gjelbërimin dhe ambientin, për mua, sot, është patriotizmi më i madh që mund ta tregojë njeriu. Kjo vlen edhe për Kosovën. Të jesh patriot sot, nuk do të thotë të bësh luftë, por të mbjellës pemë”.