Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në manifestimin shtetëror “Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”.
Presidenti Thaçi tha se në këtë ditë pas fillimit të fuqizimit të rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe familjen Jashari dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndodhi ajo që pritej të ndodh edhe në Gllogjan.
“Ndodhi ajo që pritej të ndodhte, sepse bërthamat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tanimë ishin fuqizuar, ishin zgjeruar dhe sulmet ishin të pandërprera kundër forcave ushtarake dhe policore të Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i vendit tha se Epopeja e Dukagjinit shënoi një kthesë historike në luftën për liri, çlirim dhe pavarësi.
“Madhështia dhe vlera më e madhe e kësaj date i shtohet kur kemi parasysh se më 24 mars 1999, 20 vite më parë, filluan bombardimet e NATO-s. E, bombardimet e NATO-s dhe kjo aleancë kosovaro-perëndimore nuk është lidhur rastësisht, por pikërisht falë rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës së çdo qytetari të Kosovës kudo që ka qenë në Kosovë e diasporë, që ndihmuan luftën për liri”, ka theksuar presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka shtuar se sot kujtojmë me pietet e respekt Epopenë e Dukagjinit, kujtojmë dhe vlerësojmë lart mbështetjen ndërkombëtare të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit në rrugëtimin tonë për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe raporte speciale me Shtet e Bashkuara të Amerikës.
Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin e dëshmorëve të lirisë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës, dëshmorët: Agim Ali Selmanaj, Arben Bajram Ahmetaj, Artan Ahmet Mehmetaj, Burim Sadik Mustafaj, Enver Hasan Halilaj, Fatmir Smajl Nimanaj, Hasim Misin Halilaj, Luan Gani Nimanaj, Naim Metë Nimanaj, Orhan Lan Halilaj, Sokol Muzli Sejfijaj, Shpend Zeqë Malaj.