Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për Media, pas refuzimit që kryetarja e Kuvendit ia kishte bërë atij për të raportuar për vizitën e tij në SHBA.
Ai ka bërë thirrje se në procesin e dialogut duhet të bëhen të gjitha forcat në Kosovë baskë, për të përmbyllur suksesshëm procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
“Duhet të jemi unik. Të bëhemi bashkë, të gjithë në Kosovë. I tërë spektri politik. Në pyetje është Kosova, e ardhmja e Kosovës në paqe, në dinjitet, në prosperitet. Këtu nuk bën të ketë dallime në mes partive, në mes të individëve. Këtë e kemi obligim të gjithë. Këtë e presin të gjithë qytetarët prej të gjithë liderëve. Unë kam qenë gjithnjë i gatshëm që të punoj së bashku për të mirën e Kosovës. Edhe kur kam qenë në opozitë, kam marrë pjesë në bisedimet në Vjenë. Edhe kur kam qenë në pushtet, kam përfshirë opozitën në bisedimet në Bruksel. Edhe sot bëj ftesë për bashkim politik dhe për bashkërendim të hapave tonë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, kemi përkrahjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kemi vëmendjen e plotë të emisarit të tij Grenell.
“Kemi mundësinë për të mbyllur kapitullin e luftës e konfliktit. Dhe mundësinë për të hapur kapitullin e paqes, investimeve, zhvillimit, jetës më të mirë, në dinjitet dhe prosperitet ashtu siç e meritojnë dhe e kërkojnë qytetarët e Kosovës”, ka theksuar ai.