Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të ua vazhdojë paraburgimin ish krerëve të shtetit dhe ish liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi e Kadri Veseli, shkruan Fol Drejt.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim edhe për një kohë, thonë burimet e afërta me Dhomat e Specializuara.
Vendimi është marrë më 16 tetor nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.
Më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.
Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.
Por Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Thaçit vazhdon të jetë i arsyetuar dhe se nuk ka asnjë ndryshim që nga vendimi i fundit për parashkrim të kësaj mase si dhe ajo mbetet proporcionale.
Kjo ishte kundërshtuar nga mbrojtja e Thaçit.
Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë thuhet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.
Kështu, thuhet se masa e paraburgimit zbutë rreziqet ekzistuese të komunikimit dhe ofrojnë garanci të fortë kundër vizitave të pamonitoruara dhe komunikimet me anëtarët e familjes dhe vizitorët tjerë.
Nëpërmjet këtij vendimi, DHSK ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të të praqes parashtresat për shqyrtimin e radhës të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit jo më vonë se më 24 nëntor 2023. /FolDrejt/