“The Guardian” shkroi rreth muzeut të fotografisë në qytetin e Shkodrës “Marubi”.
Prestigjiozja britanike e rendit muzeun e fotografisë “Marubi”, në Shkodër, si një nga më interesantët në Evropë. Në shkrimin e titulluar “Mahnitesh nga bukuria”, jepen detaje për muzeun e parë dhe më të veçantë të fotografisë në Shqipëri, transmeton Fol Drejt.
“Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, në qytetin verior të Shkodrës, është një mrekulli.
Fotografi me origjinë italiane Pietro Marubi, hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman.
Pietro Marubi dhe dy shqiptarët që e trashëguan, Kel dhe Geg Marubi dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, luftës ballkanike dhe asaj të dytë botërore, deri në komunizmin e Enver Hoxhës”, – shkruan “The Guardian”.
Koleksioni i fotografive të ekspozuara shpalosin të gjitha sferat e jetës, revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare dhe plot të tjera.
Fototeka Marubi është arkivi më i pasur i fotografisë, në Ballkan. Vetëm një nga arkivat e saj, përmban rreth 500 mijë fotografi. “Marubi” ka marrë edhe statusin e monumentit kombëtar të kulturës.
Një vit më parë, u përgatit edhe dosja që MARUBI të përfshihej në listën e trashëgimive botërore në UNESCO, por ende nuk është marrë ndonjë përgjigje nga kjo e fundit./FolDrejt/