Mediumi britanik “The Guardian” i ka kushtuar një artikull gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, i cili filloi më 3 prill në Hagë.
Artikulli ka në qendër ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili aty quhet si politikani më i shquar në Kosovë.
“Javën e kaluar, Thaçi, i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës, u paraqit në bankën e të akuzuarve të një gjykate të Hagës së bashku me tre kolegë të shquar, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit, duke përfshirë bashkëpunimin në vrasjen e 102 personave”, shkruan The Guardian, përcjell Fol Drejt.
Ndërsa prokurorët paraqitën rastin e tyre kundër Thaçit dhe të pandehurve të tjerë Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – të gjitha figura të larta në udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës kundër forcave serbe nga viti 1998 deri në vitin 1999 – ata përshkruan një fushatë të supozuar të vrasjeve, torturës dhe represionit kundër kundërshtarëve dhe anëtarët e pakicave etnike të drejtuar nga katër burrat.
The Guardian ka cekur në artikull edhe raportin e Dick Martyt dhe zhdukjen e kësaj akuze për trafikim organesh nga procedurat në Hagë.
“Në vitin 2010, atëherë do të publikohej një raport nga Dick Marty për Këshillin e Evropës, duke detajuar pretendimet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë trafikimin e organeve nga UÇK-ja – pretendime që do të çonin, pesë vjet më vonë, në krijimin e një njësie speciale”, thuhet aty, përcjell Fol Drejt.
“Por ndërsa çështja ka vazhduar në gjyq me një ritëm thuajse të akullt, me Kosovën nën presion nga ish-mbështetësit e saj perëndimorë për të dorëzuar Thaçin dhe kolegët e tij të pandehur, pretendimet më të habitshme nga raporti i Marty-t – se viktimat u vranë dhe u morën organet – janë zhdukur nga procedurat”. /FolDrejt/