Mediat britanike vijojnë të shkruajnë për “mafian” ose “drogën” shqiptare. Pasi “Economist” shkruajti se mafia shqiptare nuk është aq e rrezikshme, kurse “The Guardian” shkroi se mafia shqiptare e drogës në Britani qarkullon miliarda funta, tani një shkrim të ngjashëm ka publikuar edhe “The Independent” me titullin: “Kolumbia e Europës: Si një shtet i vogël si Shqipëria u kthye në qendrën e trafikimit të drogës në kontinent?”
“Shqipëria nuk është më një qendër e kultivimit. Është bërë qendër e investimeve, shpërndarjes dhe rekrutimit,” përcjell foldrejt.com, shkrimin e medias britanike.
“Gjithçka nisi kur qeveria vendosi të luftojë plantacionet e kanabisit në Lazarat. Kjo bëri që trafikantët të zgjerojnë fushën duke trafikuar jo vetëm kanabis, por edhe kokainë dhe heroinë. Grupet e trafikantëve shqiptarë vlerësohen si të parët në botë për trafik kokaine, heroine dhe kanabis. Vetëm tregtia e kanabisit në një vit gjeneron 4 miliardë euro, sa gjysma e PBB të Shqipërisë”, shkruan gazetari
“The Independent” vijon të shkruajë se në kohën kur zyrtarët shqiptarë raportojnë se kapen 10 për qind të sasisë që trafikohet, një diplomat perëndimor thekson se Shqipëria është kthyer tashmë në një narko-shtet.
Sipas informacioneve të rrugëve të trafikut, vitet më të ethshme të trafikut, ishin 2015-2016. Në shkrim citohet edhe një diplomat perëndimor, emri i të cilit nuk bëhet publik, por ajo që thotë ai është tepër e habitshme.
“Është Kolumbia e Europës. Është prodhues dhe shpërndarës i drogës në Europë. Është një narko-shtet. Ata do humbasin shumë para nëse heqin dorë nga trafiku për të hyrë në BE”. Ai tha se kapet vetëm 5 përqind.
Media britanike bën me dije se hotelet, restorantet rreth rivierës shqiptare janë ndërtuara me paratë e drogës (?) dhe ky biznes është i parezistueshëm nga rinia shqiptare e cila ka pak oportunitete në shtetin me PBB sa të Kubës – ose me një rrogë prej 300 dollarësh në muaj./Foldrejt.com