Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, nëpërmjet një shënimi në Facebook ka prezantuar vendimet më të rëndësishme që janë ndërmarr gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, shkruan Fol Drejt.
“Themeluam Komisionin Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka njoftuar ai nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook.
Ky është njoftimi i plotë:
24 vendime në mbledhjen e 94-të
Themeluam Komisionin Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndamë 41 milionë euro të zotuara për mbështetjen e qytetarëve në tejkalimin e krizës energjetike, dhe gjysmë milion euro për Avokaturën Shtetërore.
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, morëm vendim për vazhdimin e mbështetjes nga Qeveria, për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Republikën tonë.
Nga sot garantimi i qasjes në ujë të pijes, brenda të gjitha institucioneve dhe hapësirave publike të tyre, është obligim.
Për të forcuar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, miratuam udhëzimet administrative për Autoritetet përgjegjëse për realizimin e të drejtave të fëmijës; dhe Këshillin për të drejtat e fëmijës.
Me Koncept Dokumentin për Art dhe Kulturë, po vendosim themele të qëndrueshme për zhvillim të pandalshëm të fuqisë kreative të vendit tonë.
Miratuam pesë projektligje për marrëveshje financiare dhe dy projekt-rregullore.
Morëm vendime për shpronësim për interes publik të disa pronave dhe shpallem me interes të veçantë publik disa të tjera, të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore.
Aprovuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, mamive, farmacistëve dhe veterinerëve në nivel të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunimin Regjional, brenda kornizës së Procesit të Berlinit.