Para disa ditësh në shoqërinë shqiptare erdhi kërkesa e parë publike për legalizimin e eutanazisë. Protagonist i kësaj kërkese është shkrimtari dhe gazetari Ben Blushi.
Nga Ardit Mehmetaj
Blushi përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook të titulluar “Si e vrau veten një mik”, ka tentuar të argumentojë se legalizimi i eutanazisë në Shqipëri është nevojë e kohës.
Në shkrimin e tij, supozohet që ai flet për një mik të vetin, i cili ishte i diagnostikuar me kancer në pankreas dhe si pasojë e vuajtjeve ai zgjedh vetëvrasjen si zgjidhje. Autori përmes letrarizimit të skajshëm të ngjarjes dhe romantizimit të eutanazisë provon ta bëjë thirrjen për legalizimin e saj sa më të pranueshme në publik.
Në një pjesë të shkrimit autori pohon: “Kur i doli narkoza, mjekët i thanë se ndoshta nuk kishte më shumë se dy javë jetë.” Autori këtu e neglizhon faktin se mjekët nuk janë ata që gjenden në pozicionin më të mirë për ta parashikuar saktë jetën e pacientëve. Shumë histori kemi dëgjuar shpeshherë që pacientët janë diagnostikuar gabimisht në periudha të shkurtra jetësore. Andaj, mesazhi që e përçon autori është se ata që kanë një jetë të shkurtër të parashikuar nga mjekët, duhet të zgjedhin një vdekje të supozuar si vdekje e lehtë ose me fjalë romantike e ekzagjeruese si “vdekje e ëmbël”.
“Meqë Shqipëria po kthehet gradualisht në një Republikë Ultraliberale, e cila lejon me ligj shumicën e veseve njerëzore, përfshirë tymosjen, bastet dhe lojërat e fatit, pa folur për veset që toleron pa ligj, atëherë pse mos ta lejojë edhe vdekjen e ëmbël?” – Kjo është një pjesë tjetër nga shkrimi i Blushit, i cili luan me fjalë duke vendosur paralele mes eutanazisë dhe veseve tjera njerëzore. Përmes krahasimit tentohet të lehtësohet një çështje shumë më komplekse se kaq. Autori këtu vetvetiu e pranon se eutanazia s’është zgjidhje pasi këtu shkrimi nënkupton se pse nuk lejohet një e keqe tjetër, kur lejohen tërë ato të këqija nga shteti.
“Unë e admiroj këtë njeri. Ai gjeti forcë t’i japi fund jetës atëherë kur ajo u kthye në një mizori.” – Ky pohim i autorit përpiqet të romantizojë eutanazinë duke e paraqitur si akt të guximshëm dhe dinjitoz. Ky është një shqyrtim subjektiv i situatës pasi është dëshmuar nga shumë njerëz që eutanazia ka pasoja të thella emocionale dhe psikologjike për të gjallët dhe për shoqërinë e të vdekurit në përgjithësi.
Ndërsa krejt në fund të shkrimit autori thotë se eutanazinë shumë njerëz mezi e presin dhe sigurisht e meritojnë prej kohësh. Blushi këtu gënjen publikisht pasi deri më tani nuk ka asnjë matje nëse njerëzit janë pro ose kundër eutanazisë.
Çka është Eutanazia?
Eutanazia, si fjalë rrjedh nga greqishtja: eu – mirë dhe thanatos – vdekje, pra mund të përkthehet si vdekje e mirë. Eutanazia është praktikë e përfundimit të qëllimshëm të jetës, ku pacienti mendon që përmes kësaj vdekje eliminon dhimbjen dhe vuajtjen.
Eutanazia ndahet në dy lloje: aktive dhe pasive. Eutanazi aktive është vrasja e një pacienti me mjete aktive, si p.sh. përmes injektimit të pacientit me një dozë droge vdekjeprurëse. Kurse, eutanazia pasive është lejimi i një pacienti të vdesë duke mos e lejuar mbështetjen artificiale të jetës si p.sh. përmes ventilatorit ose tubit ushqimor.
Eutanazia është legale në disa shtete me disa rregulla të caktuara, por shumica e shteteve e ndalojnë një veprim të tillë. Në Belgjikë e Holandë, eutanazia kuptohet si “ndërprerje e jetës nga një mjek me kërkesë të një pacienti”. Në shtetet ku lejohet ky veprim, ndryshe quhet edhe si ‘vdekje e asistuar’, kurse shumë nga kritikët eutanazinë e quajnë ‘vrasje nga shteti’, pasi që shteti nxit këtë lloj të vdekjes për t’i eliminuar shpenzimet dhe detyrimet e veta ndaj shumë qytetarëve që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Eutanazia, në kuptimin që pacienti dëshiron përshpejtimin e qëllimshëm të vdekjes së vet, u mbështet nga Sokrati e Platoni, por u kundërshtua nga Hipokrati, i cili ka folur kundër kësaj praktike, duke shkruar “Unë nuk do të përshkruaj një ilaç vdekjeprurës për të kënaqur dikë, as nuk do të jap këshilla që mund të shkaktojnë vdekjen e tij”.
Një vrasje e 24 korrikut 1939 e një foshnje me aftësi të kufizuara në Gjermaninë naziste u kritikua shumë në botën perëndimore, dhe tani pikërisht kjo vdekje shihet si “eutanazia e parë e sponsorizuar nga shteti”. Palët që ranë dakord për vrasjen përfshinin zyrën e Hitlerit, prindërit e foshnjës dhe Komitetin e Rajhut për Regjistrimin Shkencor të Sëmundjeve të Rënda dhe të Lindura.
The Telegraph vë në dukje se vrasja e foshnjës me aftësi të kufizuara – emri i të cilit ishte Gerhard Kretschmar, i lindur i verbër e me gjymtyrë të humbura siguroi “arsyetimin për një dekret të fshehtë nazist që çoi në vrasjen e pothuajse 300,000 personave me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike”. Ndërsa vrasja e Kretchmar mori pëlqimin e prindërve, fëmijët e tjerë të vrarë që ishin më mijëra në numër më pas u morën me forcë nga prindërit e tyre dhe u ekzekutuan nga shteti. Pra, eutanazia si metodë dhe origjinë del të jetë naziste.
Kritikat kundër eutanazisë
Thuajse në të gjitha vendet vrasja e një personi tjetër konsiderohet si vrasje klasike, edhe nëse qëllimi është “të lehtësojë dhimbjen”, pra edhe nëse personi ka një sëmundje të cilësuar si terminale. E tillë është konsideruar edhe eutanazia aktive.
Madje, sipas kritikëve, eutanazia nuk është fare e nevojshme, sidomos tash kur dhimbjet fizike, psikologjike e sociale lehtësohen dukshëm nga kujdesi paliativ. Sipas një matjeje, 90% e mjekëve në Kanada që punojnë në kujdesin paliativ, e kundërshtojnë eutanazinë.
Një kritikë tjetër vjen nga Belgjika, vendi ku është e lejuar eutanazia, pasi sipas kritikëve është abuzuar me eutanazinë atje. Një ndër kritikët i cili e thekson abuzimin që është bërë atje është edhe profesori Etienne Montero, Dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Namurit në Belgjikë. Një rast i abuzimit është dëshmuar edhe në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një grua mori një letër nga kompania e saj e sigurimeve që refuzonte të paguante për kimioterapinë e saj, por në vend të kësaj i ofronte vetëvrasje të asistuar.
Kritikë tjetër është detyrimi i mjekut për të vrarë. Nëse një pacient, i lodhur nga sëmundja, mendon se është e drejtë e tij që të kërkojë vdekjen, kjo nënkupton se ai po e ngarkon një mjek me detyrën e vrasjes. Shto këtu faktin që është vërtetuar tashmë se personeli mjekësor që detyrohet ta vrasë pacientin, vuan pasoja personale pas aktit pasi që eutanazia nuk është akt as i lehtë e as paqësor.
Eutanazia si veprim vlerëson disa jetë dhe zhvlerëson disa të tjera. Pranimi i legalizimit të eutanazisë është pranim se jeta e personave të moshuar dhe personave me aftësi të kufizuara vlen më pak se të tjerat dhe rrjedhimisht kjo është logjikë naziste pasi që përçon mesazhin se më mirë është të jesh i vdekur se sa i moshuar, i sëmurë ose me aftësi të kufizuara.
Një tjetër rrafsh që neglizhohet nga ata që kërkojnë legalizimin e eutanazisë, si rasti i Ben Blushit, është ana psikologjike e pacientit, pasi shpesh kërkesa e tij për eutanazi është thirrje për ndihmë, pasi në shumicën e rasteve pacienti nuk e dëshiron vërtet vdekjen, por e dëshiron lehtësimin e dhimbjeve, kujdesin e trajtimin nga rrethi i tij familjar e mjekësor. Rast tjetër, mund të jetë nëse pacienti është i depresionuar dhe nuk e percepton realitetin e tij saktë dhe rrjedhimisht mendon se gjendja e tij është më e keqe se që është në të vërtetë. Kështu që, eutanazia përveç që rëndon anën psikike, inkurajon njerëzit me sëmundje, të moshuar ose me aftësi të kufizuara që të marrin këtë hap të gabuar. Kujtojmë se nxitja e eutanazisë është parë në shumë vende edhe si interes shtetëror pasi shteti dëshiron që të kursejë para për kujdesin e pacientëve duke e ditur se kostoja e helmeve që përdoren për shkaktimin e vdekjes nga eutanazia është rreth 50 dollarë për injeksion, ndërsa një trajtim me kimioterapi kushton mijëra dollarë. Në anën tjetër është parë në disa raste edhe familja si nxitëse, pasi që familjarët nuk duan të merren gjatë me pacientin dhe si zgjidhje e shohin vdekjen e tij.
Në bazë të statistikave është shtuar numri i vetëvrasjeve në shumë vende ku është lejuar eutanazia si dhe ka rënë numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nga mjekët. Spitali Universitar i Gjenevës reduktoi ekipin e tij të kujdesit paliativ pasi vendosi të lejojë vetëvrasjen e asistuar.
Një kritikë tjetër është se eutanazia e ashtuquajtur “vullnetare” lehtësisht mund të dërgojë në një ‘terren të rrëshqitshëm” që çon në eutanazinë e pavullnetshme të njerëzve që konsiderohen të padëshirueshëm nga shteti ose ndonjë organ i caktuar. Ky skenar mund të duket ekstrem nga perspektiva jonë tani, por historikisht idetë që fillimisht ishin të papranuara janë bërë shpejt të pranueshme. Shembull konkret për këtë është rasti i Belgjikës, atje 10 vjet pas legalizimit të eutanazisë, ligji (që atëherë thuhej se kishte garanci të forta për mosndryshimin e tij) u ndryshua për të lejuar eutanazinë për fëmijët me sëmundje të pashërueshme, pavarësisht moshës të cilës i takojnë ata.
Religjioni dhe eutanazia
Islami dhe Krishterimi si dy religjionet më të mëdha në botë e ndalojnë eutanazinë aktive.
Nga kisha zyrtare eutanazia u vlerësua si vrasje që cilësohet si mëshirë, kurse në vitin 2002 papa Gjon Pali II eutanazinë e quajti absurde.
Edhe Islami e ndalon qartazi eutanazinë aktive, të cilën e konsideron si vrasje.
“Eutanazia në parim është e ndaluar sepse jeta është dhuratë nga Zoti dhe vetëm ai ka të drejtë ta marrë atë”, shprehet hoxhë Vladimir Kera.
Tutje, ai thotë se Islami e lejon vetëm në një rast eutanazinë.
“Islami vetëm në një rast e lejon atë, sipas komisionit të fetvave evropiane thonë se eutanazia pasive në momentin kur personi ka vdekje klinike, pra të trurit dhe funksionojnë disa organe pjesërisht si zemra dhe mushkëritë dhe pjesa më e madhe e trupit është e vdekur dhe sado të mbahet me ilaçe apo aparatura ajo përsëri shkon drejt degradimit atëherë në këtë rast aplikohet eutanazia pasive. Që do të thotë eutanazia duke mos i dhënë më ilaçe, e cila i mundëson vdekjen natyrale”, përfundon hoxhë Vladimir Kera.
Pra, eutanazia aplikohet në shumë pak shtete, kritikohet nga shumë profesorë e mjekë të ndryshëm në mbarë botën, si dhe ndalohet nga fetë e mëdha. Andaj, kërkesa të tilla si ajo e Blushit, shpërfaqin vetëm naivitetin e autorit që bën një kërkesë të tillë, e aspak nevojën e shoqërisë për të. /Autentik