Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pranuar ftesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit për takim.
Abdixhiku ka thënë se ftesa e Kurtit erdhi me vonesë, por e pranon pasi çështjet kombëtare janë mbi politikën ditore.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë. Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, shkroi Abdixhiku.
Abdixhiku pati edhe kritika për kryeministrin Kurti, duke thënë se “ishte kritikuar për çasjen”, siç e quan kreu i LDK-së “të mbyllur”.
“Publiku kosovar ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces; siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informoj spektrin politik në vend. Këtë qasje të mbyllur e kemi kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ne”, shkroi Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se qëndrimi për dialogun është i qartë e i pandryshueshëm, “është interës kombëtar i Kosovës, e jo prioritet i fundit”.
“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne”, shkroi më tej Abdixhiku./21Media