Sulmuesi i PSG-së, Kylian Mbappe, ka reaguar ashpër në Twitter ndaj fyerjeve kundër Camille, një vajze tetë vjeçare që vuan nga një sëmundje e rrallë, e cila publikoi një video emocionuese në rrjetet sociale për t’i kërkuar sulmuesit francez që të qëndronte te PSG dhe të mos largohej në ndonjë skuadër tjetër.
“Në Paris dhe në Francë ka miliona tifozë që, si unë, ju duan shumë. Kështu që ju lutem qëndroni te Paris Saint-Germain dhe vazhdoni të na bëni të ëndërrojmë për një kohë të gjatë . Kylian, ju uroj Gëzuar Vitin e Ri, ty dhe PSG-së”, dëgjohet në videon e publikuar nga Camille, e cila e ka Mbappen, si shumë fëmijë në Francë, si burim frymëzimi brenda dhe jashtë fushës.
Pak minuta më vonë, video u përhap në të gjithë vendin, një sërë personash anonimë sulmuan tifozen e vogël, duke e ofenduar pa arsye.
Nuk ka vonuar as reagimi i sulmuesit francez, i cili shkruan në Twitter: “Edhe unë ju uroj Gëzuar Vitin e Ri, Camille ime e vogël. Vazhdo të luftosh si ti di. Ti po na jep të gjithëve një leksion për jetën. Dhuna në komente për një fëmijë të vogël… po e arrijmë vërtet fundin. Duhet të vijmë pak në vete”.