Edhe kafshët nuk janë imun ndaj Kovid19, por në kohën kur shumica e shteteve ka mungesë të testeve të Kovid19, në disa kopshte zoologjike, bëhen teste për kafshët. Disa tigra në kopshtin zoologjik të Bronx-it, New York kane rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri, ndërsa besohet se ky është infektimi i parë i kafshëve në SHBA, informon foldrejt.com.
Në njoftimin e Organizatës për mbrojtjen e jetës së egër të lëshuar të dielën thuhet se Nadia, tigër femër malajas 4 vjeçar, është pozitiv me COVID-19.
“Një kollë e thatë është vërejtur tek ajo, tek motra e saj Azul, dy tigrat amur dhe tre luanët afrikanë, ndërsa pritet që të gjithë të shërohen”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se besohet se kafshët i ka infektuar personi që është kujdesur për to por që ka qenë asimptomatik.
Rezultatet e testit i konfirmuan edhe Laboratori kombëtar për shërbime veterinare pranë Departamentit të Bujqësisë së SHBA-ve, e vendosur në Ames, Iowa.
“Nuk ka dëshmi se kafshët luajnë një rol në transmetimin e COVID-19 tek njeriu, përveç rastit të tregut në Wuhan dhe nuk ka dëshmi se një person në SHBA është infektuar me COVID-19 nga kafshët, përfshirë kafshët shtëpiake, qentë dhe macet”, thuhet në njoftim.