Në një intervistë në “A2CNN”, ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, u pyet në lidhje me garën në Bashkinë e Shkodrës për zgjedhjet lokale. Teksa foli për deklaratën e Damian Gjiknurit, i cili së fundmi u shpreh se PS do të marrë 40 bashki, Topalli u shpreh se paska ndryshuar mendim, teksa kujtoi deklaratën e para dy javëve kur socialistët shpreheshin se do të fitonin 100 për qind të bashkive në rang vendi.
“Mirë shumë, paska ndryshuar mendim, se përpara dy javësh thoshin se do të fitonin 100 për qind të bashkive. Unë besoj se do të ketë gjëra shumë interesante pas 17 majit. Besoj se do të ketë shumë zhvillime interesante. Për të fituar zgjedhjet është absolutisht një emergjencë kombëtare për të sjellë një ndryshim, përndryshe ne nuk e meritojmë ndryshimin”, tha ajo.
Ndërkohë, e pyetur nëse në Shkodër Partia Demokratike i trembet ndonjë kandidati socialist që mund ta sfidojë atë në këtë bashki, Topalli tha se ata nuk kanë asnjë shans, pasi koha e ka treguar këtu e 30 vjet se kush fiton.
Topalli nuk nguroi të cekte edhe një problem, sikurse e quajti ajo, që ka të bëjë me investimet në qytet që sipas ish-kryeparlamentares, janë zero. Ndërsa shtoi se në qytet është rritur varfëria, megjithë fisnikërinë që i karakterizon qytetarët shkodranë.
“Unë nuk hy në kategorinë e atyre që them që më të mirët janë të PD-së dhe më të këqinjtë janë të PS-së. Unë mendoj që të dyja forcat politike kanë mundësi që të zgjedhin njerëz me reputacion, por Bashkinë e Shkodrës nuk kanë shans që ta fitojnë, sepse është e përcaktuar. Historia 30-vjecare ka treguar që është e paracaktuar.
Por aty ka një problem shumë të madh. Ka dhjetë vite që në Bashkinë e Shkodrës, por edhe në bashki të tjera, ka zero investime. Nuk ndodh kund në botë që ta dënosh një komunitet të tërë, vetëm se drejton një forcë tjetër politike. Shikoj një varfëri të tmerrshme. Nuk e di nëse ka një qytet më të varfër se Shkodra. Një mjerim, natyrisht edhe një fisnikëri të njerëzve, por mjerimi të çon në dëshpërim”, tha ajo.
“Politika sot është kthyer në një biznes pasurimi shumë i shpejtë dhe i pandershëm.” Kështu është shprehur ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli në “Intervistë” me Merita Haklajn.
Topalli nuk i kurseu kritikat për klasën e sotme politike ndërsa theksoi se në kohën kur ajo i hyri politikës realiteti ishte tjetër. Sipas saj, nëse sheh parlamentin sot, mund të vëresh rënie në performancë, në artikulim dhe rrjedhimisht edhe rënie të besimit të qytetarëve.
Ish-kryetarja e Lëvizja për Ndryshim theksoi se dikur në parlament ka qenë elita e vendit.
“Kur kam hyrë për herë të parë në politikë, në parlamentin e Shqipërisë ishte elita e vendit tonë, ekonomistët më të mirë, pedagogët më të nderuar, ishin inxhinierët më të zotët. Ishin njerëz të ndershëm. Po të mos ndodhte ‘97 do të bëheshin politikanë dhe njerëz të suksesshëm”, tha Jozefina Topalli.
Por kush mund të fajësohet për këtë rënie të cilësisë së prurjeve politike në vend? Për Jozefina Topallin, faji është i kryetarëve të partive. Këto kohë, sipas Topallit, liderët nuk duan njerëz me karakter të fortë pranë vetes.
“Këto kohët e fundit liderët nuk duan pranë vetes me autoritet të fortë moral. Njerëz me personalitet të fortë. Njerëz që janë të nderuar në komunitetet e tyre, me reputacion dhe performancë të lartë në komunitetet e tyre…Në lista vendosen njerëz që paguajnë. Kryetarët e kanë degjeneruar të qenurit deputet në atë fazë që njerëzit nuk e ndjekin më parlamentin”, u shpreh Jozefina Topalli, raporton TiranaNews, transmeton Fol Drejt.