Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka thënë se përçarja e brendshme e Partisë Demokratike ia hap rrugën kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që të zgjedhë këdo që ai dëshiron që të jetë në këtë post.
“Procesi i zgjedhjes së presidentit është kushtetues dhe është futur në korniza të limituara kushtetuese pikërisht me ndryshimet e vitit 2008 çka e bën presidentin një institucion që mund të zgjidhet me vota të thjeshta të mazhorancës. Unë kam pasë gjithmonë këndvështrimin tim për këtë punë, por Kushtetuta e Shqipërisë sot kjo është”.
“Më e rëndësishmja në një proces të tillë kaq të rëndësishëm do të ishte vlerësimi i standardit se si duhet të jetë presidenti. Nuk e shoh që po diskutohet për këtë punë, pasi më shumë diskutohet për procedura dhe tërheqjen e opozitës në një komunikim i cili për hir të së vërtetës duke parë mënyrën e sjelljes të politikanëve të caktuar nuk më duket se ka mbetur në varësi të këtij komunikimi se tek e fundit kryeministri më shumë se një herë e ka thënë se i kanë votat. Duket paradë për të tërhequr të tjerët në një diskutim dhe kjo ka shkaktuar përçarje në grupin e opozitës që i takon kryesisht Partisë Demokratike e cila edhe në këtë proces po evidenton sëmundjen e saj nga një përçarje e brendshme që i jep shansë qeverisë dhe Edi Ramës që në fund fare të zgjedhë si president atë që ka në kokën e tij”.
Topi, në një intervistë për Klan Kosovën, tha se ai nuk e ka një emër se kush do të donte të ishte në postin që ai dikur e kishte, por megjithatë thotë se do të donte që presidenti/ja e Shqipërisë të jetë një person politik.
“Unë e kam dëgjuar kryeministrin të thotë se presidentin do ta zgjedhim ne, pastaj futet në proces konsultimi dhe nuk e di nëse ky president do të jetë politik apo do të jetë personazh apolitik. Unë mund të shpreh mendimin tim që nisur nga rëndësia e këtij institucioni dhe përplasjeve që ai institucion ka pasë me institucionet e tjera, kryesisht me pushtetin e fortë të kryeministrit, besoj që njeriu më i përshtatshëm si identitet i presidentit do të ishte një njeri politik, jo partiak. Një njeri me eksperiencë politike, që ka një pëlqyeshmëri publike dhe që mund të vijë nga bota akademike ndonëse ka edhe eksperiencë politike. Shqipëria i ka këta njerëz, por çështja është nëse do të shkohet të këta njerëz ose jo. Njeriu që do të jetë president është e rëndësishme që të ketë autoritet dhe të jetë një figurë me integritet moral”.
Por, a mund të jetë një personalitet nga Kosova emri për të cilin do të pajtoheshin pozita dhe opozita që të jetë presidenti i ri i Shqipërisë?
“Brenda kësaj hapësire unë jam një nga njerëzit më me pa paragjykime për këtë punë. Kur them një njeri me pëlqyeshmëri publike dhe integritet moral padyshim që kjo nuk ndahet nga kufijtë virtualë. Unë mendoj që atij institucioni i duhet një njeri i këtyre parametrave”.