Pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe drejtimit përkohësisht nga Ryan Mason, Tottenham vijon të mbetet në kërkim të një trajneri, të cilit t’i besojë drejtimin e skuadrës për sezonin e ri, ku natyrisht do të kërkohet rikthimi në nivele të larta.
Presidenti i londinezëve, Daniel Levy negocioi për disa ditë në mënyrë intensive me ish trajnerin e Interit, Antonio Conten, por dështoi ta bindë të rikthehet në Londër, aty ku disa sezone më parë fitoi edhe titullin kampion me skuadrën e Chelseat.
Paga e lartë e pretenduar nga Conte dhe mbi të gjitha kërkesa për një merkato jashtë logjikës për kushtet e pandemisë, bënë që negociatat mes palëve të ndërpriteshin dhe tani drejtuesit e Tottenham të mendojnë për një tjetër trajner.
Emri që është rikthyer në skenë është ai i holandezit Eric Ten Haag, i cili drejton holandezët e Ajaxit dhe vetëm gjatë pranverës së këtij viti ka rinovuar kontratën me skuadrën nga Amsterdami, raporton Top Channel, percjell Foldrejt.com