Filozofi francez, Zhylien Benda, shkroi gati njëqind vite më parë atë që njihet si “Tradhtia e intelektualëve”.
Shkruan Agim Baçi
Ai parashikoi se e keqja e shoqërive të sotme do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza. Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin. Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre.
Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.
Në këtë betejë kanë kaluar në thuajse në mosqënie edhe autoritetet fetare, të cilët nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’u përballur publikisht me shqetësimet e sotme të shoqërisë. Ata kanë mbetur peng i së shkuarës së fitoreve historike dhe thirrjet e tyre janë si në fundin e një shpelle, ku i dëgjohet jehona, por jo fuqia e vërtetë e asaj që dëshirojnë të thonë. Madje, me përfaqësuesit e institucioneve të së shenjtës është krijuar një situatë cinike, pasi janë kthyer në koncepte muzeale të shoqërisë, pasi në mënyrë krejt të hapur kthehen në panair vizitorësh vetëm në raste festash, ndërkohë që në përditshmërinë tonë zëri i tyre është i papërfillshëm.
Në këtë kryqëzim, ku as elitat intelektuale e as ato fetare nuk mundet dot të frenojnë këtë dëshirë për argëtim – që nuk është veçse një dëshirë për t’iu larguar realitetit dhe vetes- manipulimi i mendjes rrezikon të bëhet gjithnjë e më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetët tona. Kjo, edhe për faktin se mosdëgjimi i zërit të elitave dhe autoriteteve fetare i ka zhdukur kufijtë mes së mirës e së keqes dhe mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Një zhdukje e tillë kufiri na sjell në skenë atë njeri të parashikuar nga shkrimtari i madh Dostojevski, “njeriun që nuk do të ketë turp nga asgjë”. Dhe njeriu që nuk ka turp nga asgjë, është njeriu që me shumë kënaqësi i ikën së vërtetës për të jetuar në argëtim, në harresë. Për një njeri të tillë, debati moral nuk ekziston dhe pyetjet që kanë dominuar që në fillesat e saj botën, si “Përse ia vlen të rrojmë?”, “Përse të vdesim?”, “Çfarë është e shenjtë?”, “Çfarë është e drejtë?”, rrezikojnë të përfundojnë në një muze të së shkuarës.
Për të shpëtuar nga kjo djerrinë, është e rëndësishme të gjejmë shtegun e pyetjeve morale. Kjo nuk do të thotë të shmangim komunikimin, por në syrin e kamerës të mos lejojmë të fitojë imitimi, por të bëjmë çdo përpjekje që të triumfojë bindja se njeriu është i lirë. Të paktën, elitat fetare kanë detyrë që të gjejnë çdo hapësirë për t’i kujtuar njeriut se nga çdo krijesë tjetër e dallon liria për të vendosur, liria për të gjykuar. Dhe këto elita duhet t’u drejtohen sidomos atyre që paguhen për të edukuar brezat./FolDrejt/