Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq, i ka pranuar të gjitha ato “që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, duke theksuar se ai e ka pranuar edhe integritetin territorial të Kosovës.
“Vuçiqi e pranoi integritetin territorial të Kosovës, tash edhe veçoritë kombëtare të Kosovës…Ai pranoi gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, ka deklaruar Trajkoviq.
Ajo është shprehur për emisionin “Iza Vesti” se si do ta pranojë kushtetuta Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa ka kërkuar sqarime nga ekspertët mbi përputhjen e këtij institucioni me dokumentin më të lartë juridik në Serbi.
“Si do të përshtatet ai komunitet (serb) në Kushtetutën e Serbisë, ku janë ekspertët për të na shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë. Ku është kushtetuta e Serbisë? Nën betimin e (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq, si do ta pranojë Kushtetuta e Serbisë Asociacionin, si do të integrohet institucionalisht dhe nëse do të integrohet”, ka pyetur Trajkoviq, duke theksuar se Asociacioni pritet të jetë në koordinim me Kushtetutën e Kosovës.
Trajkoviq, njëherit këshilltare e ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është shprehur se me planin aktual për Asociacionin “është akti i pranimit të disa gjërave që i kënaqin shqiptarët”.
Sipas Trajkoviqit, me veprimet e tij, Vuçiqi do të duhej t’i bartte pasojat. Për konvertimin e targave të serbëve në RKS, këshilltarja e ministrit Rashiq ka shtuar se “nëse ky është realiteti, a duhet shteti ta pranojë atë që serbët në Kosovë e pranojnë për të mbijetuar”.
Për procesin dialogues mes Kosovës dhe Serbisë, politikania serbe ka thënë se s’pret të ketë njohje de jure apo nënshkrim të marrëveshjes.