Katër këshilltarët e Kryeministrit Albin Kurti, të cilët me vendimin e Zyrës së Kryeministrit, kanë ndjekur trajnim në Universitetin e Harvardit, i kushtuan buxhetit të Republikës së Kosovës plot 15 mijë e 200 dollarë amerikan ose konvertuar në euro 12 mijë e 851 euro.
Sipas këtij vendimi, 12 zyrtarë/këshilltarë politik ishin dërguar për trajnim në Programin ekzekutiv arsimor online 3 javor (21 shtator – 12 tetor 2021) të Universitetit Harvard: “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave: Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Shuma e paguar nga Zyra e Kryeministrit për person ka qenë 3,800 dollarë amerikan, ndërsa shuma totale për katër persona ka qenë 15,200.00 dollarë amerikan ose e konvertuar në euro 12,851,00”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së për “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, lidhur me 8 zyrtarët/këshilltarët e tjerë, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë për “Betimi për Drejtësi” se Ministritë i kanë kryer veç e veç pagesat nga buxheti i tyre, por që nuk kanë dhënë ndonjë shumë të shpenzimeve për këta këshilltarë.
Lidhur me bazën ligjore për dërgimin e këtyre zyrtarëve/këshilltarëve në trajnimin në Univeristetin e Harvardit, ZKM është përgjigjur se ky vendim është marrë me rekomandim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe me aprovimin e Kryeministrit Albin Kurti si dhe në pajtim me procedura tjera administrative të përcaktuara më Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe legjislacionin në fuqi.
Ndërsa, lidhur me kriteret e përzgjedhjes së këtyre zyrtarëve/këshilltarëve, nga ZKM janë deklaruar se kabineteve të Kryeministrit, zëvendëskryeministrit Bislimi dhe disa ministrive u është kërkuar që t’i propozojnë kandidatët që kanë qenë të përfshire në hartimin e programit të Qeverisë apo të cilët janë angazhuar në draftimin e politikave, strategjive dhe planeve sektoriale.
Sa i përket përzgjedhjes së tyre se kush ka vendosur për t’i përzgjedhur këta këshilltarë, në përgjigjen e ZKM-së thuhet se për përzgjedhjen e tyre ka vendosur Kryeministri për kabinet të tij, Zëvendëskryeministri i parë për kabinet të tij, Ministrja e Ekonomisë për kabinet të saj, Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë për kabinet të saj dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për kabinet të tij.
Sipas përgjigjes së ZKM-së, pagesat për këta zyrtarë/këshilltarë janë kryer nga kategoria “Mallra dhe Shërbime”, ndërsa Ministritë tjera i kanë kryer veç e veç./BetimipërDrejtësi