Punësimi jashtë Kosovës është një synim dhe ambicie e shumë njerëzve në Kosovë.
Persona të rinj dhe ata të moshave të mesme, i ndjekin me interesim kërkesat për punë në tregjet e vendeve të zhvilluara evropiane dhe konform këtyre kërkesave, edhe synojnë të aftësohen që të jenë të gatshëm për një punë jashtë vendit.
Armend Avrami, 29-vjeç, po ndjek trajnimin për elektronikë industriale në Qendrën e Aftësimit Profesional në Prizren. Ai po synon që pas këtij trajnimi të gjejë punë në Gjermani.
“Qëllimi im për ardhjen në këtë qendër ka qenë për të fituar aftësim profesional në instalimet elektrike, mendoj që si profesion është i kërkuar shumë në tregun evropian. Këtu kam fituara vetëbesim dhe praktikë pune”.
“Me këtë diplomim-certifikim që e marr këtu, kam synim të dal jashtë vendit, në Gjermani. Mendoj se mund të gjej punë. Arsyeja është tregu i punës në shtete perëndimore, konkretisht në Gjermani, pasi që është pagesa më e mirë, pastaj cilësia e jetës është shumë më e mirë, si dhe siguria”, thotë Avrami.
Janë edhe mijëra qytetarë tjerë të cilët po aftësohen në profesione të ndryshme të cilët po ofrohen nga Agjencia e Punësimit, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Këto qendra ofrojnë aftësime profesionale në 37 profesione të ndryshme.
Profesionet të cilat punëkërkuesit aftësohen në tetë qendrat, që janë të shtrira në tërë Kosovën janë: hidroalik, elektronik industriale, elektro – mekanik të pajisjeve shtëpiake, saldues, floktari, rrobaqepësi, profesione të ndryshme në sektorin e ndërtimtarisë, pastaj në sektorin e gastronomisë e shumë të tjera.
Vetëm në Qendrën e Aftësimit Profesional në Prizren, e cila funksionon që nga viti 2000, sipas të dhënave zyrtare, brenda një viti rreth 1000 punëkërkues vijojnë trajnimet për profesione të caktuara.
Sinan Gashi, udhëheqës i Qendrës për aftësim profesional në Prizren thotë për Radion Evropa e Lirë se trajnimet që ofron qendra janë në përputhje me tregun e punës në Kosovë dhe më gjerë.
“Profesionet që ne i ofrojmë në këtë qendër janë 15 sosh dhe ofrohen për të gjithë personat që janë të regjistruara si të papunë në Zyrat e punësimit. Në bazë të programeve që ofrojmë, të gjithë personat që ndjekin aftësimet profesionale marrin nivelin e tretë të kualifikimeve, që nënkupton punëtorin gjysmë të kualifikuar, rrjedhimisht ata pas certifikimit kanë një bazë solide për treg të punës”, thotë Gashi.
Numri i të aftësuarave në profesione të ndryshe në këto qendra, shton Gashi, ka shënuar rritje nga viti në vit dhe se shumica tyre janë punësuar në tregun në Kosovë dhe atë evropian.
“Është një numër i madh që kanë gjetur punë legale në botën e jashtme në tregun evropian, por një pjesë e madhe e tyre janë punësuar dhe janë vetëpunësuar në Kosovë. Po, është e vërtetë që ka një rritje të personave që kanë përfunduar trajnime këtu dhe kanë gjetur punë në tregun evropian”.
“Ndër profesionet që janë më të kërkuara dhe që po arrijnë të gjejnë punë jashtë vendit janë saldimi, pastaj kemi elektronikën industriale, sidomos te moduli instalimet elektrike që janë shumë të kërkuara, pastaj kemi furrtari ku këta persona po punohen, në veçanti në Kroaci dhe Hungari, por edhe profesione tjera, varësisht si po depërtojnë në tregun evropian qytetarët tanë”, thotë Gashi.
Punësimin në vendet evropiane e synon edhe Shemsije Biri, e cila po ndjek trajnimet në profesion e floktarisë.
“Unë jam këtu duke u përgatitur për një aftësim profesional, por mendoj të shkoj në Gjermani dhe atje të gjej punë”, thotë ajo.
Profesorët në këto qendra të aftësimit profesional, të cilët udhëheqin këto trajnime, thonë se të rinjtë po përgatiten mirë për tregun e punës.
Nezir Lubovci është trajner i elektronikës industriale. Ai tregon se për këtë profesion ka shumë të interesuar dhe se shumica e kandidatëve që vinë kanë synim punësim në tregun evropian.
“Personat të cilët vinë këtu arrijnë të marrin bazat e profesionit që ata dëshirojnë. Interesimi në këtë aftësim profesional është më i madh pasi që ata gjejnë punë më lehtë. Këta persona përgatiten mirë për tregun e punës në fushën e instalimeve elektrike. Thuajse të gjithë persona që vinë këtu të aftësohen synojnë tregun e punës në vendet e Bashkimi Evropian”, thotë ai.
Personat të cilët aftësohen në këto qendra për profesione të ndryshme, kanë mundësinë pastaj të ndjekin edhe një trajnim se si mund të vetëpunësohen.
Qamir Maqkaj trajner thotë për Radion Evropa e Lirë se kandidatët mësohen si bëhet një plan biznesi. Kjo është e ndarë në katër module: ideja e biznesit, hulumtimi i tregut, plani i marketingut dhe pasqyrat financiare.
Sipas tij, shumë prej tyre kanë arritur të vetëpunësohen dhe kanë fituar grante nga organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
“Ka qenë një numër i madh i personave që kanë përfunduar këtë trajnim. Pastaj kemi projekte të ndryshme me UNDP-në të cilët kanë ndihmuar me financim bizneset fillestare. Një numër i madh i kandidatëve janë ndihmuar që të hapin bizneset ku ju janë blerë pajisjet e punës”, thotë Maqkaj.
Papunësia në Kosovë është një nga problemet që ka përcjell vendin përgjatë viteve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të këtij viti, shkalla e papunësisë ka arritur në 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak.