Një 19-vjeçar është vënë në pranga, pasi po transportonte 14 emigrantë të paligjshëm.
14 emigrantët janë vënë nën hetim për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa janë sekuestruar 1 automjet dhe 2 aparate celulare.
Në kërkim është shpallur një 18-vjeçar si bashkëpunëtor.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 15”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Procedohen penalisht edhe 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen 1 automjet dhe 2 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 15”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 19 vjeç, banues në Morinë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. I., 18 vjeç. Shtetasi E. K. është kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i implikuar në këtë veprimtari kriminale është dhe shtetasi A. I. Vijon puna për kapjen e tij. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë./tch/