Trazirat shpërthyen në rrugët e Brukselit pas fitores së Marokut ndaj Belgjikës në Kupën e Botës. Rreth 100 policë ndërhynë me dy topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që po shkatërronte pronat.
Siç raportojnë mediat, turma ka goditur me gurë policinë, ka shkatërruar makinat aty pranë, ka thyer xhamat e dyqaneve dhe një numër të madh skuterësh elektrikë janë djegur.
Edhe para përfundimit të lojës, disa dhjetëra persona, mes të cilëve disa me kapuç, dolën në qendër të Brukselit “në kërkim të konfrontimit me policinë”, duke kërcënuar rendin dhe sigurinë publike, njoftoi policia, transmeton Fol Drejt.
Policia u bëri thirrje banorëve të Brukselit që të shmangin qendrën e qytetit, për të mos qenë në rrezik gjatë përballjes me rebelët.
Ndeshja mes Belgjikës dhe Marokut është ndjekur në vende publike nga tifozë të të dyja kombëtareve.