Rreth 400 turistë të cilët u bllokuan për disa ditë në këmbët e sitit arkeologjik të Machu Picchu për shkak të trazirave në Peru u evakuuan në qytetin e Cusco, njoftoi Ministria e Turizmit në Twitter.
“Sot pasdite janë transferuar 418 turistë peruan dhe të huaj nga fshati Machu Picchu në Cusco”, thuhet në njoftimin e publikuar mbrëmë.
Autoritetet peruane njoftuan dje se kishin mbyllur Machu Picchu për shkak të trazirave në vend që filluan në dhjetor. Qasja hekurudhore në vend u mbyll për disa ditë pasi protestuesit dëmtuan trasenë.
Protestat nisën në Peru më 7 dhjetor për dorëheqjen e Presidentes Dina Boluarte. 46 persona humbën jetën në trazirat.
Machu Picchu është mbyllur në disa raste gjatë shpërthimit të koronavirusit.
Machu Picchu, që do të thotë “Mali i Vjetër” në gjuhën Keçua, është ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Pachacuti (1438-1471) dhe ndodhet rreth 100 kilometra nga Cuzco, kryeqyteti antik i Perandorisë Inka në juglindje të Perusë së sotme./FolDrejt/