Gjykata e shpalli fajtor për vrasje ish oficerin e policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin që shkaktoi vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, një çështje që shkaktoi protesta në tërë botën, dhunë dhe një analizë të racizmit dhe praktikave të policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin pasi diskutoi për rreth 10 orë gjatë dy ditëve në një qytet në ankth se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.
“Tre herë fajtor”, u tha për Chauvin. Para gjykatës, një turmë prej disa qindra njerëzish shpërtheu në brohoritje kur u shpall vendimi. Skena festive pasuan dhënien e vendimit, me makina që u binin borive, demonstrues që bllokonin trafikun dhe brohorisnin “George Floyd”.
“Tre herë bërtita ‘Po’ kur jepej vendimi, e pashë në televizor. George Floyd u vra e kjo ishte një goditje e fortë për të gjithë. Mua, si nënë me ngjyrë që jam, më theu zemrën. Çfarë duhet t`i thosha unë fëmijës tim? Por tani, drejtësia më në fund u vu në vend”, tha protestuesja Yoland Rogers.
Në sheshin George Floyd në Mineapolis, kryqëzimi ku u vra 46-vjeçari e që më pas mori emrin e tij, turma brohoriste. “Drejtësia për afrikano-amerikanët është drejtësi për të gjithë Amerikën,” tha avokati i familjes Floyd, Benjamin Crump. Presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris e ndoqën dhënien e vendimit së bashku me ndihmësit e tyre stafin në Shtëpinë e Bardhë.