Performanca financiare dhe operative e ndërmarrjes “Trepça” pritet t’i nënshtrohet auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Auditimi përfshin periudhën kohore 2019-2021. “Trepça” nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010.
“ZKA-ja e vlerëson të rëndësishëm trajtimin e kësaj teme të auditimit duke marrë parasysh se Trepça është shoqëri aksionare 80% në pronësi të Republikës së Kosovës dhe 20% të punëtorëve të saj. Ndikimi dhe pesha e këtij resursi pasuror është i lart për Kosovën në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit, gjenerimin e punësimit, rritjen e eksportit dhe Bruto Produktit Vendor (BPV)”, thuhet në njoftim.
“Objektivë e këtij auditimi është të vlerësojë nëse “Trepça” është duke e zhvilluar aktivitetin operativ dhe financiar me fokus procesin e prodhimit me synimin e arritjes së performancës financiare pozitive, nëse jo cilët janë shkaktarët që ndikojnë në produktivitetin e ulët, mungesën e rentabilitetit respektivisht profitabilitetit. Subjekt i këtij auditimi është Trepça Sh.A. me njësitë biznesore, Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë si dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq”.
“Analizat tona do të shtrihen edhe në aktivitetet e njësive tjera biznesore jo-produktive dhe jo-profitabile”, thuhet në njoftim.