Inspektorati i Punës e ka gjobitur me 1 mijë euro subjektin juridik “Trepça” SH.A në Mitrovicë, lidhur me mospagesën e praktikantëve të certifikuar, moslidhjen e kontratave të punës me praktikantë dhe mos-sigurimin e mjeteve mbrojtëse.
Në vendimin e Inspektoratit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet ankesa e palës në procedurë Arsim Musa kundër subjektit juridik “Trepça” lidhur me mospagesën e pagave prej 100 euro për 60 praktikantë të certifikuar në dhjetor të 2022-ës dhe mospagesës së 30 të tjerëve me nga 200 euro, e të cilët ishin certifikuar në janar 2023, është e bazuar.
Përveç këtyre, thuhet se pala ankuese ka theksuar se më 16 janar 2023 kanë filluar punën 120 praktikantë të tjerë, të cilëve “Trepça” nuk iu ka siguruar pajisje mbrojtëse, si dhe pagesën mujore prej 100 euro nuk e ka kryer, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit, subjekti në fjalë ka kryer tri shkelje; nuk ka lidhur kontratë të punës me praktikantë sipas ligjit, për çka është dënuar 300 euro, ka shkelur dispozita të Ligjit të Punës pasi nuk ka kryer pagesën e praktikantëve, duke u dënuar më 200 euro, si dhe ka cenuar dispozitat e Ligjit për Siguri dhe Shëndetin në Punë, në momentin kur nuk u ka siguruar mjetet mbrojtëse dhe për ketë është dënuar 500 euro.
“Në bazë të nenit 5.5 (b) te Ligjit nr. 2002/9 dhe nr, 03/1-017 për Inspektoratin e Punës në Kosovë, punëdhënësit në fjalë iu është bëre vërejtje dhe është obliguar t’i eliminoj parregullsitë e konstatuara me raport zyrtar dhe dokumentacionin e kërkuar të sjellë në zyret e Inspektoratit të punës në afat prej 3 ditësh nga data e dorëzimit të raportit zyrtar”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Sipas vendimit, thuhet se punëdhënësi, në ketë rast “Trepça”, edhe pas vërejtjeve dhe obligimit të dhënë me raport zyrtar, ka prezantuar përmes postës listën e pagave vetëm për muajin shkurt dhe muajin mars, por nuk ka prezantuar dëshmi për muajin prill, nuk ka prezantuar dëshmi të kontratave dhe as nuk ka prezantuar dëshmi listën e pajisjeve personale mbrojtëse.
Kjo gjobë, duhet të paguhet brenda 8 ditëve pas pranimit të vendimit, ndërsa pala e pakënaqur mund të bëjë ankesë në afat po ashtu prej 8 ditësh në shkallën e dytë të Inspektoratit.
“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një koment edhe nga u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani, por i njëjti deri në publikimin e këtij lajmi nuk është përgjigjur.
Ndryshe, më 3 nëntor 2023, minatorët e kësaj ndërmarrjeje kanë ndërprerë grevën 10 ditore, pasi kishin arritur marrëveshje mbi kushtet e kërkuara. /BetimipërDrejtësi