Kuvendi i Malit të Zi, ka votuar sot për shkarkimin e kryeparlamentarit Aleksa Beçiq. Nga 79 deputetë, 43 prej tyre ishin për dhe 36 të tjerë kundër.
Kuvendi i Malit të Zi sot në seancën e jashtëzakonshme ka vendosur për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq, pas diskutimeve për propozimin për shkarkimin e tij.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fillimi i seancës, i cili ishte caktuar për në orën 10:00, u vonua me dy orë dhe zgjati për orë të tëra.
Ndryshe, që në fillim të seancës u miratua rendi i ditës.
Për miratimin e rendit të ditës votuan 43 deputetë, pika e vetme e të cilëve ishte shkarkimi i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq. Kundër ishin 37.
Seanca më pas thuhet se vazhdoi furishëm me deputetët e FD-së që kërkuan shtyrjen e seancës, për të tentuar të arrihet një marrëveshje brenda mazhorancës parlamentare.
Shkarkimi i kryetarit të Kuvendit vjen tri ditë pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi.
Beçiq është lider i Partisë Demokrate, deputetët e së cilës kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit, është shkarkuar të premten, më 4 shkurt, me votat e opozitës dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.