Fisnik N. Muça, PhD
Jo çdo lloj i biznesit është i destinuar për të pasur sukses. Në fakt, vetëm 2/3 e bizneseve, pronarët e të cilëve punësojnë punëtorë, mbijetojnë konkurrencën e tregut në dy vitet e para dhe diku gjysma mbijetojnë në pesë vitet e ardhshme. Andaj është një sfidë e vërtetë kur duhet që të vendosni për të nisur investimet për ndonjë ide biznesi, të leni punën tuaj të përditshme që keni bërë deri atëherë dhe të bëheni një pronar biznesi. Është shumë me rëndësi se si të filloni një biznes, pasi që të gjitha hapat e tjera që do të pasojnë do të hidhen mbi themelet e suksesit apo dështimit.
Sapo që të vjen një ide për të nisur një biznes, është e nevojshme që ajo të balancohet me realitetin. Sa vallë ajo ide biznesi është potencialisht e suksesshme? Është e nevojshme që idenë e biznesit ta filtroni nëpërmjet procesit të vlefshmërisë para se të vazhdohet më tutje. Që një biznes të jetë i suksesshëm në qytetet e vogla, është e nevojshme që nëpërmjet tij të zgjidhet një problem konkret, të plotësohet ndonjë nevojë e konsumatorëve apo të ofrohet diçka me çka do të plotësohen nevojat e tregut. Janë disa mënyra për të identifikuar nevojat e tregut përfshirë këtu: hulumtimin personal dhe grupet e fokusit, duke parashtruar pyetjet në vijim:
- A ka nevojë tregu dhe konsumatori për produktet apo shërbimet e parashikuara?
- Kujt i nevojiten ato?
- A ka të tjera kompani që ofrojnë shërbime dhe produkte të ngjashme?
- Si është niveli i konkurrencës në atë sektor?
- Si do të inkuadrohet ai lloj biznesi në tregun aktual?
Në tekstin në vazhdim do të gjeni tri idetë e radhës potenciale dhe premtuese për biznesin të cilin mund që ta nisni, sidomos në qytetet e vogla.
3. Furrë buke
Duke nisur nga kafja e mëngjesit, e deri tek vaktet e tjera të ditës, furra e bukës mbulon pjesën më të madhe të nevojave në qytetet e vogla. Duke nisur dhe operuar një biznes sikurse furra e bukës, është një punë e vështirë, pasi që kemi të bëjmë me një orar pune i cili kërkon vëmendje pothuajse 24 orë dhe me produkte të cilat kanë një afat prishjeje të shkurtër. Një furrë buke e cila do të prodhonte bukë dhe produkte të miellit të një kualiteti solid, me çmime të cilat janë në përputhje me standartin jetësor të qytetit, do të ishte premtues si një ide biznesi. Me një staf profesional dhe persona të cilat do të kujdesen për biznesin tuaj sikurse të ishte biznes familjar, padyshim që një furrë buke do të kishte sukses.
4. Dyqan për shitje të kafshëve përkëdhelëse dhe trajtimin e tyre (Pet store)
Duke marrur parasysh nevojat moderne të tregut dhe konsumatorëve, një dyqan për shitjen e kafshëve përkëdhelëse dhe trajtimin e tyre, do të ishte ideali. Në kohën që jetojmë, ka njerëz të cilët nuk dëshirojnë të formojnë familje, dhe blerjen e kafshëve përkëdhelëse e shohin si një alternativë për të mos jetuar vetëm. Edhe pse ky grup nuk është i vetmi që synohet si konsumatorë potencial, përvetësimi i kafshëve përkëdhelëse ka kaluar në modë. Një dyqan i cili do të ofronte lloje të ndryshme të peshqve për akuariume shtëpiake, lepuj të llojeve të ndryshme, zogj dhe papagaj, mace dhe qen shtëpiak, do të kishte perspektivë në qytetet e vogla. Me këto lloje të kafshëve dhe shtazëve, lidhen edhe shumë produkte të tjera si: akuariume, kafaze, ushqime për rritjen dhe mirëmbajtjen e tyre, ilaçe dhe vitamina e të ndryshme, e kështu me radhë. Gjithashtu, një dyqan i tillë duhet që të paktën të ketë të punësuar edhe një veterinar i cili do të kujdeset për ato kafshë dhe shtazë të cilat kanë nevojë për trajtim në periudha të ndryshme, sikurse që është vaksinimi. Ky lloj biznesi është mjaft premtues dhe atraktiv, dhe mbi të gjitha fitimprurës.
5. Shërbimet e kositjes dhe kopshtarisë
Shumica e qyteteve të vogla është shumë e sigurtë që kanë ambiente të mbuluara me bar, bile me shumë bar dhe lëndina. Meqenëse qytetet e vogla priren të jenë në zona rurale, shumë banorë ka të ngjarë të kenë lëndina dhe kopshte të mëdha Të gjithë ata të cilat në shtëpitë e tyre kanë kopshte me lule dhe ambiente gjelbërimi, kanë nevojë për dikë që do të kujdeset në mënyrë profesionale për to. Disa nga përfitimet për fillimin e një biznesi të tillë në qytetet e vogla janë: parashikueshmëria, besueshmëria dhe shkallëzueshmëria. Prej momentit që filloni të gjeni konsumatorë dhe aq gjatë që ofroni shërbime kualitative me çmime të arsyeshme, gjasat për të fituar besueshmërinë tek këta njerëz janë të mëdha. Gjithashtu duhet që të jeni në gjendje që të parashikoni se kur do të nevojitet shërbimi i radhës, me të vetmin qëllim që konsumatori të mos preokupohet që t’ju kontaktojë ju. Jo vetëm që bari duet të pritet vazhdimisht, por lëndinat duhet të fekondohen dhe trajtohen nga barërat e këqija. Fillimisht mund të filloni që të ofroni shërbime të tilla si: kujdesi për lëndinat, kositjen e barit, mirëmbajtjen e pemëve dhe luleve, por më vonë mund të zgjeroheni duke ofruar edhe shërbime për heqjen e borës gjithashtu.