Në 6 nga 12 qarqe në vend, në tremujorin e katërt të vitit, rritja e vdekjeve mëse u dyfishua, duke u luhatur nga 100-125%…
Gjirokastra, Shkodra dhe Lezha rezultojnë qarqet që në vitin 2020 kanë pasur rritjen më të lartë të fataliteteve shtesë, në raport me popullsinë përkatëse, duke marrë dhe goditjen më të madhe nga Covid-19.
Sipas të dhënave zyrtare nga Gjendja Civile, nga rreth 6 mijë vdekje shtesë që u regjistruan në 2020-n në krahasim me vitin e mëparshëm, por dhe me mesataren 2015-2019, rreth 1,800 ose 30% e tyre ishin në Tiranë, 732 në Fier dhe 681 në Elbasan.
Por, në raport me popullsinë përkatëse, renditja është tërësisht e ndryshme. Shtesa e jetëve të humbura për 1,000 banorë, që në pjesën më të madhe tregon ndikimin që ka pasur Covid-19, ishte më e larta në Gjirokastër. Në qarkun jugor, që ka një popullsi të moshuar, për shkak të emigrimit të lartë, në vitin 2020 u regjistruan 937 humbje jete në total, me rritje prej 24.3%. Ndërsa shtesa e vdekjeve për 1000 banorë ishte 3.5, sipas të dhënave zyrtare të Gjendjes Civile dhe INSTAT për popullsinë, të përpunuara nga Monitor.
Ky tregues është përkeqësuar edhe për shkak të vijimit të tkurrjes së popullsisë edhe gjatë vitit 2020. Gjirokastra është edhe qarku që në vite normale ka një normë të lartë vdekshmërie (12.3 për 1 mijë banorë në 2019-n, për të arritur në 15.8 vdekje për 100 banorë në vitin 2020).