Në raportin 24-orësh të policisë është raportuar se gjithsej 3 raste të armëmbajtjes pa leje janë shënuar në rajonin e Prishtinës.
Të tri rastet kanë ndodhur me datën 25 nëntor, të këtij viti dhe në të tri rastet, policia ka arrestuar të dyshuarit, prej të cilëve vetëm një është dërguar në mbajtje për shkak se dyshohet të jetë përfshirë edhe në disa vepra tjera penale, të tjerët janë liruar.
Në mesin e këtyre tri rasteve, ndër të përfshirët është edhe një i mitur, nxënës i shkollës së mesme, të cilit i është konfiskuar një thikë.
Rasti raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Shpëtim Rrobaj”, rreht orës 14:30, transmeton Fol Drejt.
“Në hapësirat e shkollës së mesme është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, nxënës i shkollës, pasi që iu është gjetur dhe sekuestruar një thikë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari pas intervistimit të lirohet në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin 24-orësh.
Për rastin e raportuar në fshatin Mramor të Prishtinës, rreth orës 20:15, në raportin 24-orësh thuhet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar i është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie me 7 copë fishekë. Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimin se i njëjti ka kryer disa raste vjedhje (dhjetë raste) në lokacione të ndryshme, rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë ka ndodhur në rrugën “Naim Frashëri” të Prishtinës rreth orës 11:30.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që iu është gjetur dhe sekuestruar një revole me një karikator dhe gjashtë fishekë. Po ashtu në shtëpinë ku jeton i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar edhe pesë fishekë, një shufër metalike dhe një thikë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari pas intervistimit të lirohet në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin 24-orësh./FolDrejt/