Tre të miturit nga qyteti i Prizrenit të lajmëruar nga nëna e tyre si të zhdukur janë gjetur nga Policia e Kosovës, në ç’rast u raportua të kishin vjedhur një veturë për të me të cilën kishin udhëtuar për në Prishtinë.
Rasti i lajmëruar të shtunen, këtë të diele u zbardh nga Policia e Kosovës, ku të miturit u lokalizuan në stacionin e autobusëve në Prishtinë nga forcat e rendit.
Vesel Gashi, zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit ka treguar për media se të miturit në fjalë kanë vjedhur një vetur me të cilën kishin shkuar në Prishtinë.
“Të miturit janë shoqëruar në Prizren dhe në prezencë të prindit janë intervistuar. Gjendja e tyre shëndetësorë është e mirë. Por, të miturit ditën e raportimit si të zhdukur dyshohet se kanë kryer veprën penale vjedhje të automjetit dhe me atë automjet kanë shkuar në Prishtinë”, ka treguar zëdhënësi.
Rasti qe lajmëruar nga e ëma të shtunen në orët e mëngjesit, dhe rasti ka qenë duke u trajtuar nga Prokurori i Shtetit nga sektori i Krimeve të Rënda.