Triumfoi kampi i djathtë në zgjedhjet parlamentare në Itali, i cili e arriti shumicën për krijimin e qeverisë. Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d’Italia mund të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë.
Më shumë se 50 milionë italianë votuan të dielën për parlamentin e ri.Gjatë së hënës pritet që të jepet rezultati zyrtar i zgjedhjeve.
Shqetësim në BE
Giorgia Meloni gjatë fushatës bëri gjithçka për të bërë të pranueshme partinë, të cilës nuk i hiqet etiketa “postfashiste”. Partia është organizata pasuese e lëvizjes, MSI, Movimento Sociale Italiano, e krijuar nga ish-funksionarë të diktatorit, Benito Musolini pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në logon e partisë ndodhet simboi i zjarrit, që të kujton Musolinin dhe është një simbol për ultra të djathtët.
Meloni u paraqit me tone të moderuara në fushatë dhe u përpoq të sigurojë partnerët, se Italia do të mbetet një partnere e besueshme. Ajo hodhi poshtë zërat e frikësuar, se fitorja e FDI do të çojë në një kthesë autoritare të Italisë apo në daljen e Italisë nga Bashkimi Europian apo eurozona.
Megjithatë në Bruksel zgjedhjet në Itali janë ndjekur me shqetësim. Meloni e shpreh qartë mbështetjen për Ukrainën e sulmuar nga Rusia, dhe konsiderohet si properëndimore dhe mbështetëse e NATO-s. Por ajo është e njohur edhe për kritikën e saj ndaj institucioneve në Bruksel. Kurse aleati i saj i Legas, Matteo Salvini shpreh hapur dyshimin për efektin e sanksioneve kundër Rusisë.
Socialdemokratja Katarina Barley, zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian e cilësoi shqetësuese fitoren zgjedhore të aleancës së djathtë dhe rrezik për bashkëpunimin konstruktiv në Europë. “Girogia Meloni do të jetë një kryeministre që ka si modele politike Viktor Orbanin dhe Donald Trumpin” , shkroi Barley./DW