Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe sekretari i shtetit, Mike Pompeo e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ekstradimit midis Kosovës dhe SHBA-së.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri i cili ka konfirmuar se institucionet e vendit e kanë pranuar dokumentin nga SHBA-ja.
“Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do shkojë deri në fund”, ka thënë Tahiri përmes një postimi në Facebook.
Në mars të vitit 2016 Kosova dhe SHBA-ja kishin nënshkruar marrëveshjen e ekstradimit. Me rastin e nënshkrimit ishte thënë se marrëveshja, përpos që shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, nënvizon përcaktimin e Kosovës për sundim të rendit dhe ligjit.
Marrëveshja, para nënshkrimit nga ana e presidentit Trump, kishte marrë pëlqimin edhe të Senatit amerikan.
Ekstradimi është një akt kur një vend dorëzon një person të akuzuar ose të dënuar për kryerjen e një krimi në juridiksionin e një vendi tjetër.