Donald Trump, shefi i Shtëpisë së Bardhë, ka paralajmëruar të enjten Rusinë, Sirinë dhe Iranin kundër vrasjeve të civilëve në provincën Idlib të Sirisë dhe ka thënë se Turqia është duke punuar shumë që të ndalë “masakrën”. Brenda më pak se një viti, pavarësisht nënshkrimit të armëpushimit në Idlib mes Turqisë dhe Rusisë, kanë vdekur mbi 1300 persona/civilë – mes tyre edhe shumë fëmijë, informon foldrejt.com.
“Rusia, Siria dhe Irani janë duke vrarë ose janë në drejtim të vrasjes së mijëra civilëve të pafajshëm në provincën Idlib. Mos e bëni këtë! Turqia është duke punuar shumë për të ndalur këtë masakër”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin social, Twitter.
Forcat siriane dhe ato ruse kanë zgjeruar fushatën e tyre të bombardimeve në Idlib, përkatësisht hapësirën e fundit të kontrolluar nga rebelët në Siri.
Presidenti sirian, Bashar al-Assad është zotuar për të fituar kontrollin e kësaj pjese.
Liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit janë pajtuar në muajin shtator në Ankara për të “ulur shkallën e konfliktit në Idlib pas disa muajve të një fushate që ka detyruar 500,000 civilë të ikin nga shtëpitë e tyre.
Meqë diplomacia ka dështuar të arrijë marrëveshje për paqe në Siri, pakti për ulje të shkallës së konfliktit ka nisur të zbatohet me vonesë.
Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin ka thënë të martën se Rusia se do të punojë për të ndalur sulmet në Idlib, pas bisedimeve me delegacionin turk në Moskë.
Trump ka synuar të krijojë marrëdhënie të ngushta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, edhe pas sulmeve të fundit të këtij shteti kundër aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Siri, kurdëve, dhe blerjes nga ana e Ankarasë të sistemeve ruse për mbrojtje raktore, S-400.