Nga Andrew A.Michta “19 Forty Five”
Në mesin e spekulimeve të vazhdueshme nëse presidenti rus Vladimir Putin do të nisë një sulm të ri ushtarak kundër Ukrainës, fokusi kryesor ka qenë tek gjasat e një konflikti kinetik në Evropë përgjatë Krahut Lindor të NATO-s.
Gjithsesi, gjykuar nga diapazoni i gjerë i kërkesave të paraqitura nga Rusia në dy të ashtuquajturat “projekt-traktate” me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, Moska nuk duhet të ketë iluzione se do të pranohen ato, pasi kjo do të risillte rindërtimin nga e para të arkitekturës së sigurisë euroatlantike.
Ajo do të krijonte rrethana, të cilat do ta minonin aftësinë e NATO-s dhe Amerikës për të punuar me aleatët e saj. Putin mund të ketë vendosur tashmë të lëvizë ushtarakisht, ndërsa thirrjet drejtuar Perëndimit për të negociuar, mund të krijojnë një “maskirovka” (një manovër mashtruese),duke bërë që Moska të sigurojë një shkak për të nisur luftën,duke pretenduar se Uashingtoni kishte refuzuar të merrte në konsideratë kushtet e saj.
Nëse kërkesat për të negociuar e kanë një qëllim më të madh, ai është përçarja e aleancës perëndimore. Më e rëndësishmja:idea se Rusisë do t’i duhej një garanci e shkruar në një traktat për të parandaluar pranimin e Ukrainës ose Gjeorgjisë në NATO, është realisht absurde.
Putin e di se për sa kohë që ai mban të pushtuara Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut në Gjeorgji, këto vende nuk kanë asnjë shans që të jenë pjesë e NATO-s, pasi një votë për zgjerimin e aleancës, do të nënkuptonte në fakt një votë për të shkuar në luftë kundër Rusisë.
Kërkesa e Moskës, sipas së cilës status quo-ja aktuale duhet të konfirmohet me një traktat zyrtar, nuk është aspak një përpjekje për ta poshtëruar Perëndimin. Është jetike të merren në konsideratë skenarët se çfarë mund të ndodhë nëse Rusia pushton Ukrainën, dhe çfarë mund të ndodhë nëse ne në Perëndim nuk nisim të mendojmë në një perspektivë afatgjatë për pasojat e kësaj krize.
Një sulm i dytë rus ndaj Ukrainës, nëse ndodh, duhet të shërbejë si një zile alarmi e vonuar për Perëndimin, rreth synimeve të Rusisë për të krijuar një sferë ekskluzive ndikimi në Evropën Lindore, dhe për të konfirmuar pretendimet e Moskës për të ushtruar ndikim në Evropën Qendrore, brenda perimetrit të NATO-s.
Duke supozuar se Perëndimi mund ta njohë më në fund emergjencën e këtij kërcënimi, ndihma më efektive do të ishte riarmatimi i aleatëve evropianë të NATO-s, dhe një rritje e pranisë ushtarake të SHBA-së përgjatë Krahut Lindor, duke përfshirë edhe bazat e përhershme amerikane në Poloni dhe Rumani.
Më pas, evropianët do të duhet të shpenzojnë më shumë para, jo vetëm për zhvillimin e aftësive ushtarake reale, por edhe për të forcuar infrastrukturën në të gjithë kontinentin, veçanërisht në aksin Veri-Jug, për të siguruar përmbushjen e kriterit të lëvizshmërisë ushtarake, dhe për ta treguar këtë të fundit nëpërmjet një serie stërvitjesh në terren.
Më e rëndësishmja: Aleatët dhe partnerët evropianë të NATO-s, duhet të tregojnë se janë të aftë të gjejnë konsensus mes tyre, për t’iu përgjigjur me sanksione kuptimplota, duke filluar nga ndërprerja e qasjes së bankave ruse ndaj sistemit ndërkombëtar i pagesave SWIFT, tek ndalimi i përdorimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, si dhe me tregimin e vendosmërisë për të reaguar me forcë, në rast se Putin përpiqet të përdorë kërcënimet ushtarake kundër aleancës.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, nëse Ukraina vendos që të luftojë, Perëndimi duhet ta mbështesë rezistencën e saj kundër këtij sulmi të ri rus ndaj sovranitetit të saj kombëtar. Skenari më i keq do të ishte një raund tjetër denoncimesh verbale dhe sanksionesh pa aftësi reale për të dëmtuar, të cilat do të shërbenin për të forcuar besimin e Putinit se Evropës i mungon vullneti për të përballuar sfidën që ai ka lëshuar.
Në rast se reagimi ndaj pushtimit rus të Ukrainës do të ishte i njëjtë si me Krimenë në vitin 2014, siguria e Evropës do të përkeqësohej në mënyrë dramatike. Zona e konkurrrencës do të zhvendosej nga Evropa Lindore në Evropën Qendrore dhe shtetet baltike, ku raundi i ardhshëm i kërkesave të Putin mund të ishte një “finlandizim” de facto i shteteve baltike, dhe një presion i ri ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të hequr asetet ushtarake nga zona midis Baltikut dhe Detit të Zi, veçanërisht nga Polonia dhe Rumania.
Në këtë skenar Putin do të synonte Gjermaninë si “partneren e tij të preferuar”,me shpresën se duke përdorur energjinë si “armë”, Moska mund ta tërheqë në fund Berlinin në një raport “neo-Bismarkian”, i cili do ta ndante në fakt Evropën në dy sfera ndikimi, duke i bërë Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më të parëndësishme për ekuilibrin e përgjithshëm strategjik në Evropë.
Dhe skenari i mësipërm, është më pak i largët nga sa mund të duket. Ai mbështetet tek modelet historike të imperializmit rus, që datojnë 3 shekuj më parë, dhe e ka origjinën tek mënyra se si Moska e kupton rolin e Gjermanisë në Evropë, që kur Prusia bashkoi shtetet gjermane.
Për Putinin, dy Luftërat Botërore janë ngjarje të pazakonta. Putin beson se mund të rishikojë me sukses historinë, duke krijuar një “Koncert të ri të Fuqive të Mëdha” në Evropë, ku Shtetet e Bashkuara, të bllokuara në një rivalitet gjithnjë e më ekzistencial me Kinën në rajonin e Indo-Paqësorit, nuk do të jenë në gjendje që ta parandalojnë një pasojë të tillë.
Shprehja e fundit e mbështetjes nga Putin për pretendimet e Xi Jingping ndaj Tajvanit, në këmbim të mbështetjes së Xi për sferën e ndikimit të Rusisë në Evropën Lindore, janë shprehjet më të qarta të këtij projekti të madh.
Kjo qasje nënvizon arsyet pse revizionizmi sistematik i Rusisë dhe përpjekjet e Kinës për të zëvendësuar sistemin ekzistues ndërkombëtar me një sistem të ri të ndërtuar rreth interesave dhe vlerave të Pekinit, shkojnë dorë për dore me njëri-tjetrin.
Prandaj, edhe pse historikisht me shumë kundërshti kur bëhet fjalë për prioritetet kombëtare dhe në konkurrence për kontrollin e Azisë, sot Rusia dhe Kina janë aleate të lidhura nga interesi i tyre i përbashkët për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara.
Kjo aleancë e ka vendosur tashmë Amerikën përballë një krize me dy fronte, pikërisht në një kohë kur burimet e vendit janë pakësuar për shkak të 20 viteve operacione kundër terrorizmit, pandemisë, inflacionit të lartë dhe përçarjeve politike në vend.
Ne po i afrohemi me shpejtësi një pike ku një krizë në Evropën Lindore, dhe sidomos fati i Ukrainës, mund të diktojë edhe atë të sigurisë së Evropës, dhe për rrjedhojë edhe të ardhmen e saj politike.
Ajo çfarëdo të bëjnë qeveritë evropiane në vijim, do të riafirmojë ose interesat dhe vlerat e demokracive perëndimore, ose do të jetë humbja jonë më e madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Është një zgjedhje me 2 opsione, e cila nuk mund të adresohet përmes kompromiseve pragmatike.
Nëse Perëndimi tregon se ka vërtet një shtyllë kurrizore kur bëhet fjalë për parimet dhe interesat kombëtare, rezultati i krizës ukrainase do të ishte shumë simbolik, duke i dhënë fund përpjekjes neo-perandorake të Putin, dhe duke ofruar shpresë jo vetëm në Kiev, por edhe në Minsk.
Po ashtu, ajo do t’i japë vetë Rusisë një shans për të braktisur rrugën perandorake, dhe për t’u bërë një shtet “normal” me një ndikim në përpjesëtim me fuqinë që ka. Por nëse liderët evropianë dështojnë sërish që ta pranojnë realitetin dhe t’i kundërvihen atij, kontinenti do të gjendet në dekadën e ardhshme në një situatë gjithnjë e më të pasigurt në aspektin e sigurisë. /abcnews.al