Televizioni publik japonez NHK njoftoi se në mëngjes është kryer autopsia në trupin e ish-kryeministrit Abe.
Është konstatuar se ish-kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili u plagos rëndë në një sulm të armatosur dje në Japoni, humbi jetën për shkak të gjakderdhjes së madhe, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Televizioni publik japonez NHK njoftoi se në mëngjes është kryer autopsia në trupin e Abe.
Sipas zyrtarëve të policisë, një plumb që ka hyrë në pjesën e sipërme të krahut të majtë të Abe ka dëmtuar arterien nën klavikulën e tij.
Zyrtarët kanë theksuar se Abe ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes së madhe. Duke bërë të ditur se sulmuesi ka hapur zjarr nga një distancë e afërt, zyrtarët thanë se duket se ai e ka bërë këtë me qëllim për ta vrarë.
Ndërkohë, sipas lajmit të agjencisë “Kyodo”, në autopsinë e Abe janë përcaktuar 2 plagë plumbash në pjesën e sipërme të krahut të majtë dhe të qafës.
– Trupi mbërriti në Tokio
Trupi i ish-kryeministrit Abe, i cili u vra pasi u qëllua me armë zjarri në një aktivitet të fushatës zgjedhore në qytetin Nara, u mor nga spitali i qytetit në orët e para të mëngjesit pas procedurave të autopsisë.
Automjeti që transportoi trupin mbërriti në orën 13:30 me orën lokale në rajonin Shibuya të kryeqytetit, Tokio, ku ndodhet shtëpia e Abe.
Mësohet se në makinën e zezë ka qenë edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit Akie Abe.
Të afërmit e tij erdhën në vendin ku u qëllua Abe dhe vendosën lule. Disa nga personat që erdhën këtu bënë lutje ndërsa disa të tjerë nuk mundën t’i kontrollonin lotët.
Ish-kryeministri japonez Abe dje u qëllua në gjoks gjatë në fjalimi në një aktivitet në ambient të hapur në mbështetje për fushatën zgjedhore të kandidatit të Partisë Liberal Demokratike në qytetin Nara të vendit.
Televizioni Shtetëror i Japonisë NHK njoftoi se ish-kryeministri Abe humbi jetën pasi u dërgua në spital i plagosur rëndë pas sulmit./FolDrejt/