Adnan Beqiraj do të duhej që në këtë kohë të ishte në malet e Kosovës duke shoqëruar turistët.
Por, që nga muaji shkurt ai nuk ka shoqëruar asnjë grup të turistëve të huaj.
Ata që kishin planifikuar të vizitonin Kosovën në muajt mars, prill dhe maj kanë anuluar ardhjen e tyre shkaku i pandemisë së Coronavirusit të ri.
“Deri tash, në kushte normale ne është dashur që të jemi në mal duke punuar me turistët e huaj. Mirëpo deri tash ata i kanë anuluar të gjitha grupet që i kemi pasur për muajt maj, qershor dhe korrik. Tash për tash nuk ka as kërkesa të reja për të ardhur. Përveç anulimeve as kërkesa të reja nuk ka pasur”, thotë Adnani.
Përmes kompanisë së tij “Trek Balkan”, gjatë vitit Adnani shoqëron grupe të turistëve ndërkombëtarë që vizitojnë malet e Kosovës. Ai punon si udhërrëfyes edhe për alpet e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Turistët me të cilët punon Adnani zakonisht përshkojnë në këmbë shtigjet e njohura malore që lidhin këto tri shtete.
Përveç udhërrëfyesve që kanë mbetur pa punë, mungesa e turistëve të huaj sipas Adnanit do të shkaktojë pasoja të mëdha për sektorin e turizmit, sidomos atij alternativ.
“Prej atij taksistit që e marrim kur shkojmë që t’i marrim turistët në aeroport me i akomodu në hotel, pastaj me ndonjë veturë malore me i dërgua në mal, ato shtëpitë malore gjithandej Kosovës ku ka aktivitete edhe shoqëruesit turistik ne që jemi po se po, por edhe atij që e kemi të angazhuar që të na i bartë valixhet me kuaj e deri te ai që e zë mjaltin dhe djathin për turistët, do të thotë ky zinxhir tash për tash është në pauzë, nuk ka asnjë aktivitet”, thotë Adnani.
Derisa Adnani pret që të lajmërohen grupet e para të turistëve të huaj, shumë biznese dhe organizata që merren me aktivitete turistike vështirë se do të mbijetojnë kohën e pandemisë.
Baki Hoti nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), thotë se mungesa e turistëve ka prekur të gjithë sektorin e turizmit dhe se rimëkëmbja do të jetë shumë e vështirë pa ndihmën e institucioneve.
“Është njëri ndër sektorët më të prekur duke pasur parasysh përfshirjen që e ka ky sektor, duke u nisur nga pjesa e transportit, akomodimit, kafeterive, gastronomisë, agjencive turistike. Pra, është një sektor shumë i gjerë që ka prekur shumë segmente. Ky sektor ka qenë totalisht i mbyllur qysh nga dita e parë e pandemisë dhe ende nuk kemi arritur që sektori të hapet në tërësi. Pavarësisht hapjes ky sektor kërkon një qasje tjetër e cila do ta hapë dhe zhvillojë këtë sektor”, tha Hoti.
Hoti thotë se Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës ka paraparë një plan për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit pas pandemisë. Plani i është dorëzuar qeverisë.
Kërkesa e parë e planit është që të zbritet TVSH-ja nga 18 për qind në 8 për qind për sektorin e akomodimit, krijimi i kushteve për kredi me norma të ulëta të interesit për sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe shtyrja e kredive për këto biznese deri më 31 dhjetor 2020.
Rimëkëmbjen e sektorit të turizmit sipas kësaj organizate do ta ndihmonte edhe nxjerrja e një vendimi që obligon institucionet e shtetërore që çdo konferencë dhe aktivitet ta organizojnë brenda territorit të Kosovës.
Për këtë plan të rimëkëmbjes së sektorit të turizmit, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk dihet nëse do të merret parasysh.
Viteve të fundit Kosova ka pasur rritje të numrit të turistëve të huaj porse kryesisht sipas ekspertëve dominon turizmi i brendshëm.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2018 Kosova ka pasur 300.803 vizitorë me 476,446 net qëndrimi.
Sipas Organizatës Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara, këtë vit turizmi ndërkombëtar parashihet që të pësojë rënie rreth 70 për qind gjë që shënon rënien më të madhe të këtij sektori që nga viti 1950.
Bazuar në skenarët që parasheh Organizata Botërore e Turizmit ky sektor mund të përballet me humbjen e 850 milionë deri në 1.1 miliard turistë ndërkombëtarë si dhe mund të vendos në rrezik të drejtpërdrejt 100 deri në 120 mijë vende pune.
Rimëkëmbja e sektorit të turizmit sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Turizmit pritet të fillojë në tre muajt e fundit të këtij viti, por kryesisht në vitin 2021.
Në tremujorin e fundit të këtij viti parashihet që si pasojë e largimit të masave kufizuese dhe hapjes së kufijve të fillojë shtimi i udhëtimeve ndërkombëtare, sidomos ato për të vizituar familjarë dhe miq.