Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, ka deklaruar se Turqia dhe Algjeria do të krijojnë një kompani të përbashkët kërkimi të naftës dhe gazit natyror për të operuar në vendet rreth rajonit, veçanërisht në Algjeri.
Dönmez për AA tha se të dy vendet arritën një konsensus për krijimin e një kompanie të përbashkët, gjegjësisht midis kompanisë algjeriane ‘Sonatrach’ dhe kompanisë turke ‘Turkish Petroleum’, transmeton Fol Drejt.
Dönmez, i cili mori pjesë në Konferencën e 2-të Algjeriane të Investimeve si i ftuar nderi, diskutoi hapat e rinj dypalësh në fushën e energjisë dhe minierave me homologun e tij algjerian, ministrin e Energjisë dhe Minierave, Mohamed Arkab.
Dy ministrat ranë dakord të inkurajojnë dhe mbështesin punën e përbashkët dhe sipërmarrjet e përbashkëta ekzistuese midis dy vendeve dhe themelimin e kompanisë së re.
Vitin e kaluar, Algjeria dhe Turqia filluan një projekt të përbashkët në fushën petrokimike, në të cilin u themelua një fabrikë petrokimike në qytetin jugor turk Adana.
Projekti u iniciua në tetor 2021 me partneritetin e ‘Ronesans Holding’ nga Turqia dhe ‘Sonatrach’.
Rreth 90 për qind eksporteve të Algjerisë në Türkiye përbëhen nga materiale energjetike, duke përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG), gazin e lëngshëm të naftës (LPG), naftën bruto dhe gazin natyror.
Vendet kanë mundësi të mëdha tregtare
Vëllimi i tregtisë midis Turqise dhe Algjerisë, i cili ishte rreth 4 miliardë dollarë vitin e kaluar, pritet të rritet në 5 miliardë dollarë deri në fund të vitit.
Bazuar në një dekret presidencial të lëshuar në maj gjatë vizitës së presidentit algjerian Abdelmadjid Tebboune në Turqi, tha Dönmez, dy vendet synojnë një zgjerim të mëtejshëm në 10 miliardë dollarë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ministri u takua gjithashtu me Tebboune për të diskutuar rritjen e lidhjeve tregtare. Përafërsisht 1.500 kompani turke operojnë në Algjeri, ndërsa Dönmez tha se ka potencial për rritje.
“Punime të përbashkëta po kryhen jo vetëm në fushat ekonomike, por edhe në ato kulturore dhe politike, dhe veçanërisht në industrinë e mbrojtjes. Ne do të vazhdojmë punën tonë pandërprerë në përputhje me këtë vizion të paraqitur nga të dy liderët (Rexhep Tajip Erdogan dhe Tebboune)”, shtoi Dönmez./FolDrejt/