Forcat e Turqisë dhe ato të Azerbajxhanit kanë nisur ushtrime të përbashkëta ushtarake që do të zgjasin dy ditë.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se stërvitjet kishin për qëllim “zhvillimin e aftësive ushtarake të vendimmarrjes”. Komanda ushtarake e Turqisë nuk ka bërë ndonjë koment.
Në fund të vitit të kaluar, Azerbajxhani zhvilloi një luftë të shkurtër, por të suksesshme me forcat armene për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.
Rajoni njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë që nga fillimi i viteve 1990. Turqia i ka ndihmuar aleatit të saj historik, Azerbajxhanit, duke e pajisur me armatim.