“Ne miratuam marrëveshjen për të krijuar lidhje aviacioni midis Türkiye-s dhe Izraelit”, tha kryeministri izraelit, Yair Lapid
Qeveria izraelite ka njoftuar miratimin e marrëveshjes së aviacionit me Türkiye-n, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne miratuam marrëveshjen për të krijuar lidhje aviacioni midis Türkiye-s dhe Izraelit”, tha kryeministri izraelit, Yair Lapid, në Twitter.
Lapid tha se sipas marrëveshjes, avionët izraelitë do të jenë në gjendje të ulen dhe të ngrihen nga Istanbul-i dhe destinacione të tjera në Türkiye.
Duke treguar për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Türkiye-s, Lapid tha se “nga marrëveshja do të përfitojnë udhëtarët izraelitë dhe aviacioni izraelit”.
“Kjo është një lëvizje e rëndësishme strategjike për stabilitet dhe prosperitet në rajon, e cila do të jetë një kontribut i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Hapi tjetër është emërimi i ambasadorëve”, shtoi ai.
Më 17 gusht, Türkiye dhe Izraeli njoftuan se do të rivendosin marrëdhënie diplomatike dhe do të riemërojnë ambasadorët dhe konsujt e njëri-tjetrit.
Është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e aviacionit, sipas së cilës kompanitë ajrore turke mund të organizojnë fluturime për në Izrael./FolDrejt/