Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar filluan një takim në Moskë lidhur me çështjen e Libisë me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin i cili mbahet në rezidencën shtetërore të Ministrisë së Jashtme ruse do të diskutohet mbi përpjekjet për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Libi.
Gjithashtu në Moskë pritet që të zhvillohet edhe një takim mes kreut të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, Fayez al-Sarraj i cili është përfaqësuesi legjitim i palës libiane si dhe puçistit ushtarak libian, Khalifa Haftar. Burimet diplomatike njoftuan se është i mundshëm edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për armëpushim.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një takim të zhvilluar më 8 janar u bënë thirrje për armëpushim të gjitha palëve në Libi.
Armëpushimi hyri në fuqi më 12 janar pas pranimit nga forcat e Haftarit të cilët luftojnë kundër Qeverisë së Pajtimit kombëtar në Libi.