Nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është bërë e ditur se simotra e saj nga Turqia, ka dhuruar një kontingjent të uniformës ushtarake të kamuflimit në borë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Ministria Turke e Mbrojtjes dhuroi një kontingjent të uniformës ushtarake të kamuflimit në borë për FSK-në.
Në kuadër të bashkëpunimit bilateral, sot u mbajtë ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit për FSK-në të dhuruar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.
Donacioni përkatës përmban një kontingjent të uniformave ushtarake të kamuflimit në borë për nevojat e njësive taktike manovruese të FSK-së.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit morën pjesë oficerë nga dyja palët të kryesuar nga Atasheu turk i mbrojtjes kolonel Çağdaş Akif Kahraman dhe nga Shefi I Sektorit për Furnizim dhe Transport i Ministrisë së Mbrojtjes, nënkolonel Rexhep Hoxha.
Mbështetja e Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së saj të Mbrojtjes është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të FSK-së” – thuhet në komunikatën zyrtare./FolDrejt/